Pas përplasjeve në Skenderaj, deklarohet Sami Lushtaku

Aktuale February 01, 2018 - 11:28
Deklarohet Sami Lushtaku

Dy partitë e mëdha në Kosovë, lëvizja “Vetëvendosje” e PDK-ja, së fundmi janë ballafaquar me përplasje të ashpra brenda strukturave të tyre. LVV-ja, si subjekti më i madh i dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, tashmë është ndarë në dy grupe të brendshme: krahu që mbështet liderin Albin Kurti dhe tabori i rreshtuar kundër tij.

Por jo vetëm LVV-ja ka pasur përplasje së fundmi. Para disa ditësh në publik është shpërfaqur edhe moskonsolidimi i PDK-së në bastionin e kamotshëm në Komunën e Skenderajt.

Kryesia e PDK-së në këtë Komunë ka përjashtuar shtatë anëtarë nga partia dhe ka shkarkuar nga pozita e nënkryetarit të Degës deputetin Bekim Haxhiu.

LEXO EDHE: Përçarjet e mëdha

Megjithatë, ani pse kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj Sami Lushtaku ka thënë prerazi se ky vendim nuk do të zhbëhet, është shprehur i vendosur se ai nuk do t’i sjellë pasoja partisë.

Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, duke folur rreth vendimit të fundit, me anë të të cilit janë suspenduar shtatë anëtarë të Degës nga partia dhe është shkarkuar nënkryetari i Degës, ka thënë se ky vendim nuk ka kthim.

“Vendimi është i Kryesisë së PDK-së, Dega në Skenderaj. Vendimi është i pakthyeshëm”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Lushtaku tutje ka treguar arsyen se pse këta anëtarë janë larguar nga partia.

“Ka rregulla, edhe partia i ka rregullat e veta. Ata nuk e kanë përfillur vendimin e PDK-së. Kështu që vendimi është i Partisë Demokratike, i Kryesisë, natyrisht që është i pakthyeshëm”, është shprehur ai për "Zërin".

“Ndëshkimi” i anëtarëve kishte ardhur pasi ata nuk e kishin respektuar vendimin unanim të organeve të partisë lidhur me nominimin e kandidatit të PDK-së për kryesues të Kuvendit Komunal.

I pyetur nëse ky vendim do ta dëmtojë partinë, Lushtaku është shprehur i vendosur se ai nuk do të sjellë kurrfarë pasoje. “Jo, pasoja në asnjë mënyrë nuk ka mundësi që të ketë”, ka thënë shkurt i pari i Degës së PDK-së në Skenderaj.

Gazeta “Zëri” ka tentuar ta kontaktojë edhe të shkarkuarin Bekim Haxhiun, mirëpo ai nuk është përgjigjur pavarësisht insistimit.