Haradinaj: Nuk kam frikë nga Specialja, iniciativa e deputetëve s'ka për të ecur

Aktuale January 31, 2018 - 21:34

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk beson se do të ketë sukses iniciativa e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për shfuqizimin e Gjykatën Speciale.

I pyetur nga Tim Sebastian, njëri prej gazetarëve më të njohur në botë për intervista të rrepta, në emisionin “Zona e Konfliktit”, se a mendon se do të ecën përpara nisma e deputetëve për gjykatën që do të merret me rastet e supozuara të krimeve të luftës në Kosovë, Haradinaj është përgjigjur: “Nuk duket se po”.

LEXO EDHE: Haradinaj: Gjykata Speciale ekziston, nuk vihet në pikëpyetje

Më herët, Haradinaj ka thënë se Gjykata Speciale ekziston, dhe se nuk vihet në pikëpyetje.

Gazetari i Deutsche Welle e ka pyetur shefin e ekzekutivit kosovar edhe se a i frikësohet Gjykatës Speciale.

“Ekziston një shqetësim në lidhje me Gjykatën tek një numër njerëzish këtu”, ka thënë Haradinaj.

“Ata e konsiderojnë atë të padrejtë, si institucion të drejtësisë, që merret vetëm me raste të caktuara, dhe jo gjithçka çfarë ka ndodhur këtu në të kaluarën”, ka deklaruar kryeministri kosovar. 

“Unë personalisht nuk kam frikë”, është shprehur Haradinaj, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se nëse kjo gjykatë ngre aktakuzë kundër tij, ai do t'i dorëzohet asaj.