Dorëzohet Kryeministri, e pezullon vendimin për rritjen e pagës

Aktuale January 31, 2018 - 13:05

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është dorëzuar përpara reagimeve të ashpra publike, si dhe interpretimit të Agjencionit Kundër Korrupsionit, pas vendimit që kishte marrë për rritje të pagave, edhe pse vlerëson se vendimi i AKK-së është i ndikuar politikisht, shkruan Gazeta Express.

Këtë vendim Haradinaj e ka marrë pasi që 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë bërë kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij vendimi të marrë me 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës.

LEXO EDHE: Ministri Hamza refuzon rritjen e rrogave për qeveritarët

Kryeministri ka kërkuar që ky vendim të pezullohet përkohësisht deri sa të merret një vendim nga Gjykata Kushtetuese.

Statusi i plotë i Haradinajt në Facebook ku bën të njohur vendimin e tij:

Vendimin e AKK-së, lidhur me nivelizimin e pagave, e vlerësoj të paqëndrueshem dhe të ndikuar politikisht. Për këtë vendim kemi dorëzuar përgjigje të qartë dhe kjo është e njohur për opinionin.


Megjithatë, pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi.
Shqetësimi im dhe i Qeverisë është se ky pezullim godet më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët, duke qenë se pagat e tyre janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me vendimin për nivelizimin e pagave.


Pa marrë parasysh epilogun e kësaj çështjeje, ne do të përpiqemi që të gjejmë mënyrën për të siguruar përkrahjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët në vend.
RH