Krahu i Sami Lushtakut mbeti jashtë komiteteve dhe komisioneve të Skenderajt

Aktuale January 31, 2018 - 08:02

Çarja e madhe në Degën e PDK-së në Skenderaj është manifestuar edhe në mbledhjen e dytë të Kuvendit Komunal, të mbajtur të martën, në të cilën janë votuar komitetet dhe komisionet lokale.

Nga dy fraksionet e Degës e PDK-së, asamblistë në Kuvendin e Skenderajt “më i fortë” ka dalë grupi i ashtuquajtur i “të përjashtuarve të PDK-së”, pasi që ka arritur të mos ia lërë asnjë vend në komitete dhe në komisione grupit tjetër të PDK-së, atij të Sami Lushtakut.

Këtij grupi punën ia ka lehtësuar Grupi i Këshilltarëve të PDK-së, i cili mori vendim që ta lëshojë mbledhjen.

Në këtë mënyrë, në tri komitete: Komitetin për Politikë e Financa, Komitetin për Komunitete e Kthim dhe në Komitetin për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe në tri komisione: Komisioni për Vlerësimin dhe Dhënien në Shfrytëzim të Pronës Komunale në Afat të Shkurtër dhe në Afat të Gjatë, në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Pronat Komunale të Dhëna në Shfrytëzim dhe në Komisionin për Statut dhe Rregullore të Komunës, të gjitha vendet që i kanë takuar PDK-së i kanë zënë 7 asamblistët e përjashtuar të PDK-së, të cilëve të martën u janë bashkangjitur edhe dy të tjerë Naser Bajraktari dhe Musaj Hajdari. 

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Skenderajt, Albert Rexhepi, e ftuar nga kryesuesja Fatbardha Haliti që t’i propozojë tre anëtarë për Komitetin për Politikë e Financa, ka propozuar Ismet Salihun, Albert Rexhepin dhe Lavdie Gecin, por menjëherë pas tij grupi tjetër i asamblistëve të PDK-së, për të cilët Dega e PDK-së thotë se i ka përjashtuar, ka propozuar dy asamblistë nga radhët e veta, Azem Gashin dhe Fatlume Kodrën. 

Edhe subjektet opozitare në vazhdim propozuan nga një anëtar, varësisht prej ulëseve të fituara në Kuvend.

Shefi i GK-së së PDK-së, Albert Rexhepi, ka reaguar duke ia kujtuar kryesueses Haliti se PDK-ja i ka përjashtuar 7 asamblistë dhe ata nuk janë më pjesë e PDK-së dhe në këtë mënyrë ka siguruar se ata nuk mund të propozohen si pjesë e PDK-së për t’u përfaqësuar në komitete dhe në komisione.

Por Haliti, e cila edhe vetë ndodhet në mesin e asamblistëve të përjashtuar të PDK-së, ka shpërfillur fjalën e Rexhepit duke propozuar që këshilltarët komunalë të votojnë për të dyja propozimet.

Pas një pauze dhe kur pritej votimi shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së Albert Rexhepi ka komunikuar vendimin se asamblistët e PDK-së, siç precizoi ai, 13 asamblistë e lëshojnë mbledhjen.

Ata lëshuan mbledhjen, por dy nga ata nuk shkuan pas tyre, Naser Bajraktari mbeti në sallë, ndërsa Musaj Hajdari braktisi mbledhjen, por vetëm disa minuta pas përfundimit të procesit të votimit u kthye dhe kërkoi që të votojë, por nuk u lejua. Hajdari dhe Bajraktari kanë vazhduar të mbesin në mbledhje, duke marrë pjesë aktive në votim në pikat tjera të rendit të ditës.

Në këtë mënyrë 7 anëtarë për të cilët PDK-ja pohon kategorikisht se janë përjashtuar nga PDK-ja dhe Bajraktari e Hajdari zunë të gjitha vendet që i takonin PDK-së në tri komitete dhe në tri komisione.

Në këtë mënyrë në Komitetin për Politikë e Financa nga PDK-ja u zgjodhën Azem Gashi e Fatlume Kodra, në Komitetin për Komunitete Ilir Ejupi, në Komitetin për Mbrojtje dhe Shpëtim Naser Bajraktari e Musa Fazliu, në Komisionin për Dhënie në Shfrytëzim të Pronës Komunale Sami Aruçi, në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave të Komisionit për Dhënie të Pronës në Shfrytëzim Driton Hetemi dhe në Komisionin për Statut dhe Rregullore të Komunës Musaj Hajdari dhe Fatlume Kodra.

Fatbardha Haliti në cilësinë e kryesueses do ta kryesojë Komitetin për Politikë e Financa.

Ngjarjet që kanë karakterizuar kohëve të fundit Degën e PDK-së në Skenderaj dhe çarjet e mëdha kanë bërë që të ketë edhe dorëheqje të reja në ekzekutivin e Skenderajt. Pas Hamit Gecit, të martën dorëheqje ka dhënë edhe drejtori i Urbanizmit Driton Mulaj.

Ai e ka arsyetuar vendimin e tij se “i janë bërë kërkesa jashtë profesionit dhe jashtë bindjeve të tij”, gjë që ai nuk ka mundur t’i pranojë.

“Dorëheqjen e ofroj duke u nisur nga fakti se marrëveshja e bashkëpunimit ka qenë për punë profesionale ku edhe e kam dhënë maksimumin me gjithë potencialin tim, por jo edhe kërkesat që janë jashtë profesionit dhe jashtë bindjeve të mia, siç ka ngjarë kohëve të fundit”, ka thënë Mulaj në letrën e dorëheqjes së tij. /Zëri