Sherr institucional për pagat e qeveritarëve

Aktuale January 31, 2018 - 07:47

Konstatimi se rritja e pagave të zyrtarëve të lartë qeveritarë është e jashtëligjshme ka futur në sherr Agjencinë Kosovare Kundërkorrupsionit(AKK) me Qeverinë e Kosovës, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Kjo e fundit nuk është pajtuar me konstatimin e AKK-së, sipas së cilës zyrtarët e lartë publikë, duke përfshirë këtu kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat që kanë votuar vendimin për dyfishim të pagave “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”.

Për më tepër zyra ligjore e Qeverisë së Kosovës e akuzon Agjencinë e Kundërkorrupsionit për pasaktësi dhe joprofesionalizëm në vendimin e saj të fundit. 

Në anën tjetër, partitë opozitare vendimin e kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave të kabinetit të tij e kanë quajtur skandaloz dhe kanë konfirmuar se një vendim i tillë tashmë është dërguar në Gjykatë Kushtetuese, shkruan tutje 'Zëri'.

Përndryshe, në fund të vitit që lamë pas kryeministri i Kosovës përmes një vendimi ia ka dyfishuar pagën vetes dhe ministrave të kabinetit të tij. Më herët paga e kryeministrit ka qenë rreth 1500 euro, ndërsa me rritjen e fundit ajo do të jetë 2950 euro.

Po ashtu, me vendim të Haradinajt paga e zëvendëskryeministrit do të jetë 2500 euro, ndërsa e ministrave nga 2000 euro.
Antikorrupsioni: Vendimi i fundit parandalon konfliktin e interesit

Agjencia Kundërkorrupsion ka cilësuar vendimin për rritjen e pagave të qeverisë “Haradinaj” si të kundërligjshëm. Madje sipas AKK-së, zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat) që kanë nënshkruar këtë vendim “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit “Rast për rast”.

AKK-ja ka konstatuar se “konflikti i interesit është shkaktuar vetëm për zyrtarët e lartë që kanë qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes”.
“Vendimi i Qeverisë, i datës 20.12.2017, nuk mund të cilësohet si konflikt interesi për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga nxjerrja e këtij vendimi. Konflikti i interesit është paraqitur te zyrtarët e lartë të cilët me votën e tyre kanë ndikuar që vendimi të jetë në interes të tyre për përfitime personale”, ka thënë AAK-ja në opinionin e saj.

AKK-ja rekomandon që vendimi të kthehet në rishqyrtim duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore, të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionin tjetër relevant në fuqi.

AKK-ja në një përgjigje dhënë “Zërit” ka thënë se ata kanë vepruar me qëllim që të parandalohet situata, e cila shfaq konflikt interesi. “Agjencia e Kundërkorrupsionit si institucion i pavarur vepron duke u bazuar në mandatin dhe në përgjegjësitë që ka.

Të gjitha veprimet që i ndërmerr AKK-ja në lidhje me parandalimin e konfliktit të interesit bazohet në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe në Ligjin për Agjencinë e Kundërkorrupsionit, në rastin konkret kemi vepruar duke ndërmarrë masa lidhur me parandalimin e situatës së shfaqur të konfliktit të interesit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Qeveria: Vendim joprofesional i Antikorrupsionit

Në anën tjetër zyra e kryeministrit në një përgjigje dhënë “Zërit” ka thënë se janë duke e bërë gati një përgjigje, e cila do të sqarojë që vendimi për rritjen e pagave është në përputhje të plotë me ligjin.

“Kemi pranuar një opinion nga AKK-ja, i cili shtjellon çështjen e konfliktit të interesit në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për nivelizimin e pagave të një kategorie të zyrtarëve. Opinioni si i tillë në bazë të ligjit në fuqi është udhëzues. Qeveria është në proces të përgatitjes së një përgjigjeje, e cila do të sqarojë se vendimi është në përputhje të plotë me ligjin dhe me praktikat e mira”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.

Ata këtë veprim e arsyetojnë me faktin se qeveritë vazhdimisht nxjerrin vendime për funksionim të tyre.“Qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime dhe legale çdo ditë nxjerrin vendime për funksionimin e tyre dhe kjo nuk paraqet konflikt interesi. Vendimi i Qeverisë është vendim kolektiv”, deklaron zyra e kryeministrit.

Gjithashtu gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës ka dhënë edhe disa konstatime juridike lidhur me opinionin e Agjencisë së Kundërkorrupsionit. Madje këtë të fundit e akuzuan për pasaktësi dhe joprofesionalizëm, si dhe bënë të ditur që nuk do të tërhiqen nga ky vendim për rritje pagash.

“Opinioni i AKK-së karakterizohet jo vetëm me pasaktësi të shumta juridike, por edhe me një qasje joprofesionale, potencialisht të ndikuar në interpretimin e dispozitave ligjore për sa i takon konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe ligjore nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në konstatim.

Aty gjithashtu thuhet që Qeveria e Republikës së Kosovës ka autorizime kushtetuese që të bëjë zbatimin e politikave shtetërore dhe për këtë i nënshtrohet kontrollit parlamentar:

“Përfitimi privat nuk ekziston në rastin e vendimit të Qeverisë sepse nuk kemi të bëjmë me interes privat, por me të drejtën në pagë të dinjitetshme të anëtarëve të Qeverisë, e cila në mungesë të një ligji që do t’i përcaktonte pagat e anëtarëve të Qeverisë dhe të stafit tjetër mbështetës të tij nuk ka pasur asnjë rrugë tjetër ligjore”, thuhet në reagimin e zyrës juridike të kryeministrit. 

Opozita e dërgon në Kushtetuese rritjen e pagave të qeveritarëve

Deputetja nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri, ka deklaruar për “Zërin” se vendimi i kryeministrit për rritjen e pagave është i paligjshëm.

“Qysh në ditën kur Haradinaj ka marrë vendim për rritjen e pagave ne kemi kundërshtuar dhe kemi thënë që është joetike, por kryeministri si shumë vendime tjera edhe këtë e ka marrë në këtë formë. Konsideroj që duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, por edhe në Kushtetutë ky është një veprim i paligjshëm, i cili do të revidohet”, ka thënë Gaxherri.

Gjithashtu Gaxherri ka thënë që LDK-ja do të bashkëpunojë me lëvizjen “Vetëvendosje” për këtë çështje me qëllimin e vetëm të rrëzimit të këtij vendimi.

“LDK-ja në konsultim me lëvizjen ‘Vetëvendosje’ e kanë përgatitur një lëndë për Gjykatën Kushtetuese. Nëse është e nevojshme do t’i japim edhe nënshkrimet për këtë çështje”, ka thënë Gaxherri.

Ndërsa deputetja e “Vetëvendosjes” Albulena Haxhiu ka thënë që vendimi për rritjen e pagave është veprim skandaloz dhe bie ndesh me ligjin.

“Menjëherë pasi qeveria “Haradinaj” ka marrë vendimin skandaloz e të paligjshëm për rritjen e pagave, unë e kam dërguar të njëjtin vendim në Agjencinë e Kundërkorrupsionit, sepse kam vlerësuar që ai bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Qeveria në këtë rast ka bërë vepër penale”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur që vendimi si i tillë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, pasi bie në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të vendit.

“Gjatë ditës së hënë e kam dërguar këtë vendim edhe në Gjykatën Kushtetuese pa e ditur vendimin e AAK-së. Ky veprim bie ndesh edhe me Kushtetutën e vendit, sepse ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit, sepse Kosova si Republikë Parlamentare dhe Kuvendi si institucion ligjvënës ka për të drejtë që të miratojë Ligjin për Pagat dhe me anë të atij ligji pastaj edhe definohen pagat e zyrtarëve në Republikën e Kosovës, duke përfshirë edhe zyrtarët e lartë”, ka sqaruar deputetja e “Vetëvendosjes”.

Po ashtu Haxhiu ka thënë se pasi rritja e pagave është vendim diskriminues dhe në mospërputhje me gjendjen socioekonomike në vend, atëherë ky vendim si i tillë duhet të bjerë poshtë. 

Ndërsa Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), shprehet pesimist lidhur me zhbërjen e vendimit të kryeministrit për rritjen e pagave, pavarësisht vlerësimeve të fundit nga AKK-ja. “Agjencia e Kundërkorrupsionit gjithherë jep vlerësimet e veta, por jo çdoherë merren parasysh rekomandimet e tyre”, ka thënë Murati.

Ndërsa lidhur me veprimin e lëvizjes “Vetëvendosje” që këtë çështje ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, Murati thotë se nëse Gjykata vlerëson se rritja e pagave është antikushtetuese, atëherë do të duhej që menjëherë të shfuqizohej ky vendim.