Statuti i OVL UÇK-së e ndalon emërimin e Nasim Haradinajt drejtor

Aktuale January 30, 2018 - 23:02

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Nasim Haradinaj, është emëruar drejtor i Bujqësisë në Komunën e Deçanit.

Mirëpo, ky emërim bie ndesh me statutin e OVL të UÇK-së, i cili thotë se anëtarët e organizatës nuk duhet të emërohen në poste publike.

LEXO EDHE: Ramush Haradinaj e shpërblen me post kushëririn e tij

Në nenin 46, pika 1 të Statutit të OVL UÇK-së thuhet se anëtarët e Kryesisë  nuk mund të kenë poste në parti apo institucione shtetërore.

“Anëtarët e kryesive të Organizatës në komuna nuk mund të kenë poste në nivelin e njëjtë në parti apo institucione shtetërore”, thuhet në pikën 2 të këtij neni.

Por, neni 15 i po këtij statuti parasheh edhe përjashtimin e anëtarëve nëse  e shkelin atë.

Pika A  e këtij neni thotë se anëtari përjashtohet nëse bën “Shkeljen e Programit, Statutit, rregulloreve, vendimeve, apo akteve tjera të organizatës”.  Si dhe në pikën D thuhet se përjashtohen anëtarët që bëjnë  “Vendosjen e interesave partiake, apo interesave tjera mbi interesat e organizatës”.

Ndërsa neni 32 përcakton se kush mund të iniciojë procedurat e shkarkimit.

“Kryetari mund të iniciojë procedurën e shkarkimit të çdo anëtari të Kryesisë, para Këshillit drejtues, atëherë kur konsideron se ndonjëri nga anëtarët nuk i përmbahet vendimeve të Kuvendit, Këshillit drejtues, apo të Kryesisë, ose me veprimet e veta njollos qëllimet e Organizatës”, thuhet në statut.

Po ashtu, thuhet se të njëjtën procedurë për kryetarin mund ta nisin së paku tre anëtarë të Kryesisë apo së paku dhjetë anëtarë të Këshillit drejtues.

Kallxo.com nuk ka arritur të marrë një qëndrim as nga vetë Nasim Haradinaj, pasi që ai nuk është përgjigjur në telefon.