Për shkak të liberalizimit Pacolli kërcënon me largim nga Qeveria

Aktuale January 30, 2018 - 21:39

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës Behgjet Pacolli thotë se ka mbetur pak kohë për ratifikim të demarkacionit me Malin e Zi, në të kundërtën sipas tij, këtë vit nuk do të kemi liberalizim të vizave.

Nëse nuk do të ketë lëvizje të lirë për qytetarët, Pacolli kërcënon me largim nga Qeveria. Por Demarkacioni nuk është çështja e vetme për të cilën, Pacolli nuk pajtohet me shefin e tij në Qeveri.

Ministri i Punëve të Jashtme nuk pajtohet me vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar. Ndërkohë, Pacolli e quan të tmerrshme iniciativën për shfuqizim të Gjykatës Speciale.

Pacolli kundër Haradinajt për rritjen e pagave: Kryeministri nuk i ka punët aq keq

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli nuk përkrah vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje të pagave për kabinetin qeveritar.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, Haradinaj mori vendim që t’i rris pagën vetës për 100 për qind. Në arsyetimin e tij, Haradinaj kishte thënë se kishte nevojë për ato para për shkak të punës që ka.

Por zëdhënësi i tij, Behgjet Pacolli nuk mendon se Haradinaj i ka punët aq keq.

“Nuk do ta votoja për arsye se është një disbalancim tepër i madh”, tha Pacolli i cili tregoi se në mbledhjen kur u mor vendimi, ai nuk ishte prezent.

“Z. Haradinaj nuk i ka punët aq keq sa mos të ketë për të blerë kravata’, tha Pacolli.

Pacolli tregoi se pagën e tij e jep si donacion.

Ndërkohë kryeministri nga 1 mijë e 500 euro rriti pagën në 2950.

Ky vendim është shpall i jashtëligjshëm nga Agjencia Kundër Korrupsionit, ndërkohë Express merr vesh se Ministri i Financave Bedri Hamza, ka anuluar këtë vendim.

Pacolli e quan të tmerrshme iniciativën për shfuqizim të Gjykatës Speciale

Të tmerrshme dhe të frikshme, e quan zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli iniciativën për shfuqizim të Gjykatës Speciale. Dhjetorin e vitit të kaluar 43 deputetë të Kuvendit kërkuan shfuqizim të Gjykatës Speciale. Kjo kërkesë tashmë është në duart e Qeverisë e cila ka një muaj kohë për përgjigje.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli u shpreh sërish kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

“Kjo është një iniciativë goxha e tmerrshme e frikshme”, tha Pacolli në Rubikon të KTV’së.

“Sinqerisht, sinjalet janë shumë pesimiste”, theksoi Pacolli.

Pacolli thotë se Kosova ka edhe 15 ditë kohë për të zënë hapin për liberalizim

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli thotë se Kosova nuk ka shumë kohë për të zënë hapin për liberalizim vizash.

Thekson se janë duke punuar që të bindin kryeministrin Ramush Haradinaj për ratifikim të demarkacionit me Malin e Zi.

Pacolli është i bindur se Kosova nuk ka humbur asnjë centimetër tokë.

“Nëse nuk ndodh 10-15 ditët e ardhshme atëherë kam frikë se e kemi humbur hapin dhe nuk do të kemi liberalizim këtë vit. Kjo po më dhemb shpirtërisht. Vendi jonë është i vetmi që ka mbet si vrimë e zezë dhe të rinjtë tonë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit”, ka thënë Pacolli në Rubikon të KTV’së.

“Nëse ratifikimi ndodh tash, liberalizimin di ta kemi në sezonin e verës, nëse jo atëherë do të na zënë pushimet”, shtoi tutje ai.

Pacolli: Nëse Haradinaj nuk do të bindet për demarkacionin, do t’i humbë kuptimi kësaj qeverie

Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Kosovës Behgjet Pacolli thotë se nëse nuk do të zgjidhet shpejt çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, vendi do të ketë pasoj a të pa riparueshme.

Thekson se kjo çështje nuk pret shumë, përndryshe as këtë vit nuk do të ketë liberalizim vizash.

Pacolli shpreson se  kryeministri Haradinaj do të bindet për ratifikim të demarkacionit me Malin e Zi. Në të kundërt, sipas ministrit të Punëve të Jashtme, kësaj qeverie do t’i humb kuptimi.

“Dëmet janë pothuajse për këtë vit të pariparueshëm”, tha Pacolli në 'Rubikon' të KTV'së.

"Ndoshta do ti humb kuptimi kësaj qeverie”, theksoi Pacolli.

Pacolli thotë se ka rënë dinamika e Qeverisë Haradinaj

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës Behgjet Pacolli thotë se ka rënë dinamika e punës në qeverinë në të cilën bën pjesë edhe ai.

“Ka ra dinamika e qeverisë dhe kjo ka ndikuar edhe te qytetarët e Kosovës, te cilët kanë menduar se me këtë qeveri do të ndodhin mrekullitë. Hasëm në problemin e parë, liberalizimin e vizave, proces i cili padrejtësisht është kushtëzuar nga BE me kushtin e demarkacionit”, ka thënë Pacolli në ‘Rubikon’ të KTV’së.

Thotë se pret reflektim nga ana e atyre që po e kundërshtojnë ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas tij në të gjitha takimet me ndërkombëtar që ai ka zhvilluar, i është thënë se nuk do të ketë lëvizje të lirë për qytetarët nëse nuk do të zgjidhet kjo çështje.