Ramush Haradinaj e shpërblen me post kushëririn e tij

Aktuale January 30, 2018 - 20:20

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, javë më parë tronditi opinionin publik në Kosovë, me dy deklarata të tij.

E para, kishte të bënte me vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, për të cilët ai tha se nuk është punë e madhe që janë vrarë.

“Punë e madhe që janë vra të LDK-së”, kishte deklaruar Haradinaj.

Ndërsa, e dyta ishte ofendimi i rënë që i bëri ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

“Delawie më së pari është treguar një palaço, kur i ka thyer të gjitha rregullat dhe të gjitha përgjegjësitë e tij si diplomat që i ka. Delawie nëse ka prova për komandantët që kanë bërë krime, le të urdhëron si dëshmitar. Nuk është Delawie i plotfuqishëm që të flas çfarë të do ai. Delawie më së pari nuk e përcakton dhe nuk mund të sillet në Parlamentin e Kosovës, sikur janë sjellë ushtarët e tij në kampin e Guantenamos. Prandaj, Delawie të jetë shumë i kujdesshëm çka fol", kishte thënë Haradinaj.

Por, krejt këto nuk e kanë penguar partinë e kryeministrit të Kosovës që ta shpërblejë me një post Nasim Haradinajn.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka emëruar në një post kushëririn e Kryeministrit.

Nasim Haradinaj është emëruar Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Deçanit, komunë kjo e cila udhëhiqet nga AAK.

Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Deçanit, nëpërmjet një njoftimi.