Hoxha: Liberalizimi, 3-6 muaj pas ratifikimit të Demarkacionit

Aktuale January 30, 2018 - 12:50

Ndonëse janë bërë më shumë se dy vjet prej se është nënshkruar marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi, ajo ende nuk ka marrë epilog në kuvend.

Përkundrazi, ani pse qeveria tashmë e ka dërguar në parlament marrëveshjen në fjalë, ajo nuk është proceduar akoma për votim, shkruan "Zëri".

E meqë Bashkimi Evropian e ka vërë si kusht për liberalizimin e vizave, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka kërkuar që marrëveshja e demarkacionit të ratifikohet sa më shpejt, në mënyrë që të vendoset për interesin e qytetarëve.

“Konsideroj se çdo ditë vonesë për miratimin e demarkacionit është ngushtim i kapaciteteve shtetërore për qytetarët tanë. Andaj, kam kërkuar dhe kërkoj që kjo çështje të kalojë për miratim në kuvend sa më parë, duke vendosur interesin e qytetarëve mbi kauzat e rrejshme, sepse dje, sot e nesër, ju besojmë aleatëve tanë, u besojmë fakteve që na kanë ofruar ata e assesi hartave të improvizuara për krijimin e kauzave të rrejshme politike, duke promovuar bindje në vend të efekteve shtetërore mbi faktografi”, ka deklaruar Hoxha për "Zërin".

Ajo gjatë një bisede për “Zërin” ka thënë se Kosova me përkushtim i ka zbatuar të gjitha rekomandimet, duke iu përgjigjur ftesave, kërkesave dhe detyrimeve që dalin nga të gjitha dokumentet ndërkombëtare.

Mirëpo, meqë demarkacioni mbetet kushti kyç për heqjen e vizave, Hoxha është shprehur e bindur se qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm pas 3-6 muaj, prej momentit që miratohet kjo marrëveshje.

“Besoj se tre deri në 6 muaj pas ratifikimit të Demarkacionit, gjithmonë duke iu referuar praktikave me vendet e rajonit që u është aprovuar liberalizimi i vizave, qytetarët e vendit tonë mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së. Detyrat tona mbesin për vijimësi të procesit, zbatimi i MSA-së, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, fuqizimi i zbatimit të ligjit, ngritjen e kapaciteteve njerëzore në çdo aspekt, duke e ngritur mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në pajtim me vlerat evropiane dhe qëllimet integruese euro-atlantike”, ka nënvizuar Hoxha gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Duke folur rreth kundërshtimit që po i bëhet kësaj marrëveshjeje nga disa parti, e para e MIE-së ka vlerësuar se një gjë e tillë po bëhet kryekëput për kauza të shpikura.

“Çështja e demarkacionit është çështje e vullnetit të partive politike parlamentare, të cilat deri më tani, kanë treguar mungesë ndjeshmërie dhe vullneti ndaj kësaj çështjeje. Demarkacioni është çështje e shpikur si kauzë opozitare, u ngrit në nivelin e luftës për pushtet duke u munduar të prodhojë patriotë e tradhtarë, qëndron ndesh me realitetin e ndërtuar deri më tani dhe mirëbesimin me aleatët tanë, ShBA-në dhe Bashkimin Evropian”, ka theksuar ministrja Dhurata Hoxha.

Megjithatë, pavarësisht se zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, tashmë ka paralajmëruar një zgjidhje të përbashkët për të dyja palët (Kosovën e Malin e Zi) rreth demarkacionit, AAK e Nisma si parti, po vazhdojnë të deklarohen kundër versionit aktual të kësaj marrëveshjeje./Zeri/