Kirurgët në grevë, duan rritje pagash

Aktuale January 30, 2018 - 08:21

Dyfishimi i pagës së kryeministrit e i ministrave dhe rritja e vetëm katër për qind e pagave për mjekët ka shtyrë këta të hyjnë në grevë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Mjekët e Kirurgjisë Abdominale të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) dje kanë hyrë në grevë me kërkesën e vetme të rritjes së pagave.

GazetaZëri ka mësuar se grevës së këtyre mjekëve pritet t’i bashkëngjiten edhe disa reparte tjera të QKUK-së, si dhe mjekë nga qendrat rajonale.

Edhe pse ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, vizitoi mjekët në grevë, prapë nuk u arrit një marrëveshje me ta, me ç’rast as greva nuk u ndal.

Qeveria e Kosovës ditë më parë kishte miratuar propozimin për rritjen e pagave për katër për qind për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i Kosovës.

Këtë vit kryeministri gati se ia ka dyfishuar pagën vetes, ministrave dhe prokurorëve.

LEXO EDHE: Loja speciale

Derisa rroga e këtyre të fundit sillet rreth 1 mijë e 400 euro Zëri ka mësuar se rroga bazë e mjekëve në Kirurgjinë Abdominale është rreth 600 euro.

Zyrtarë për informim në zyrën e kryeministrit kanë thënë se nuk mund të ndërhyhet në buxhet pasi ai tashmë është miratuar, ndonëse zgjidhje të vetme e kanë parë kategorizimin e pagave.

Vendimi për rritjen e pagave për vetëm katër për qind është konsideruar si diskriminues për punëtorët.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka thënë se kryeministri duhet t’i përmirësojë gabimet e tij.

Bajrami: Kërkojmë rritje të koeficientit të pagave

Raif Bajrami, drejtor në Kirurgjinë Abdominale në QKUK, në një intervistë për “Zërin” ka thënë se mjekët që kanë hyrë në grevë kërkojnë rritje të pagave nga koeficienti 9 ose 11.

Ai ka treguar se nuk është arritur asnjë konsensus me ministrin e Shëndetësisë dhe se grevat do të vazhdojnë.

“Greva ka filluar sot. Ka qenë ministri i Shëndetësisë. U  diskutuan modalitetet e kërkesave tona që ishte vetëm rritja e pagave dhe asgjë tjetër. Ministri i Shëndetësisë ka qenë sot dhe nuk është arritur njëfarë konsensusi dhe prej sot vazhdon greva. Kemi kërkuar rritjen e pagave diku nga koeficienti prej 9 deri në 11”, ka thënë ai.

Bajrami ka thënë se prej ditës së djeshme rastet e planifikuara nuk janë pranuar.

“Rastet e planifikuara nuk i kemi pranuar. Rastet joemergjente mund të shkojnë në spitalet rajonale, ku të dëshirojnë kanë mundësi të shkojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, vetëm mjekët e Kirurgjisë Abdominale kanë dalë në grevë, ndonëse nuk e dinë se kur do të përfundojë ajo.

Gazeta “Zëri” ka marrë edhe disa prononcime nga pacientët që ishin të shtrirë në Kirurgjinë Abdominale, të cilët u shprehën se nuk kanë asnjë ankesë. Sipas tyre, edhe pse mjekët kishin hyrë në greva, ata janë kujdesur njëjtë për pacientët që janë të shtrirë për mjekim.

Qeveria: Zgjidhja më e mirë - kategorizimi i pagave

Zyrtarë për Informim në Zyrën e Kryeministrit kanë thënë se zgjidhja më e mirë për punëtorët shëndetësorë është kategorizimi i pagave.

“Kryeministri Ramush Haradinaj bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe atë të Financave, Bedri Hamza, kanë zhvilluar javë më parë një takim me përfaqësuesit e sindikatave të shëndetësisë në vend. Në këtë takim është dakorduar që zgjidhja më e mirë dhe më e shpejtë për punëtorët shëndetësorë është kategorizimi i pagave, derisa për këtë çështje janë angazhuar institucionet përkatëse”, thuhet në përgjigjen që është dërguar për “Zërin”.

 Sipas tyre, për vitin 2018 tashmë është miratuar buxheti në Kuvend dhe nuk ka mundësi të ndërhyhet.

BSPK: Vendimi i kryeministrit është diskriminues për punëtorët

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, e ka konsideruar skandaloz vendimin e kryeministrit. Ai ka thënë për “Zërin” se një vendim i tillë është diskriminues për punëtorët.

“Vendimin e kryeministrit e shoh skandaloz, humbje të vullnetit për punë të punëtorëve sepse pagat ata i marrin prej shërbimit të punëtorëve, prej djersëve të punëtorëve. Kryeministri më skandal se kësaj radhe nuk ka bërë asnjëherë. Sipas kualifikimeve ju rriten pagat, por në këtë formë si ka shkuar, prej kryeministrit edhe vetëm funksionarëve t’u rritet e punëtorit jo, kështu nuk kam parë askund. Ky është një degradim, totalisht një humbje e vullnetit për punë, diskriminim i punëtorit”, ka thënë ai.

Ajdini ka theksuar se nuk e përkrah një vendim të tillë dhe kryeministri duhet t’i përmirësojë gabimet e tij.

Ndërsa analisti i çështjeve politike dhe kushtetuese Mazllum Baraliu ka thënë se vendimi për rritjen e pagave vetëm për katër për qind për mjekët është i padrejtë.

“Veprim edhe i pamatur mirë, edhe i padrejtë, edhe pa vend, një vendim që nuk i bën nder askujt. Ndoshta do të duhej të reflektonte kjo Qeveri seriozisht për veprime të tilla dhe jo vetëm ai veprim, por edhe disa veprime të tjera, pra përdorimi i parasë publike dhe i buxhetit të popullit, taksat e qytetarëve në mënyrë të tillë dhe të paanalizuar mirë shpeshherë janë edhe me bazë të diskutueshme ligjore e kushtetuese”, ka thënë ai.