Loja speciale

Aktuale January 30, 2018 - 08:07

Iniciativa e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, të cilën Kryesia e Kuvendit javë më parë e ka proceduar në Qeveri, ende nuk dihet se kur do të jetë në rend të ditës nga kjo e fundit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

I pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar dje se “kjo iniciativë do të jetë në rend dite kurdo që procedura e sjell”.

“Ajo ka ardhur në Qeveri dhe është në procedurë të zakonshme. Kurdo që procedura e sjell në rend të ditës ne e trajtojmë”, ka thënë Haradinaj në mbledhjen e së hënës të Qeverisë.

LEXO EDHE: Haradinaj: Kosova e izoluar, politikanët i kanë të sigurta vizat

Por deputetes së partisë së Haradinajt (AAK) Teuta Haxhiut dërgimi i kësaj iniciative në Qeveri nga Kryesia e Kuvendit i duket “lojë politike”.

Ajo ka deklaruar për gazetën Zëri se pas nënshkrimit të 43 deputetëve Kuvendi do të duhej që me urgjencë ta diskutonte këtë çështje.

“Nga momenti kur iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ka shkuar në Qeveri mendoj që është lojë politike. Fakti që ka shkuar në Qeveri për mua është një gabim”, ka thënë ajo.

Deputetja e AAK-së vazhdon ta kundërshtojë këtë Gjykatë për faktin se krijimi i një gjykatë etnike për shqiptarët është gabim.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka thënë se klasa politike që po udhëheq me vendin duhet t’i ndërpresë aventurat me Gjykatën Speciale.

Sipas tij, iniciativa po hidhet nga një institucion në tjetrin, duke mos dhënë zgjidhje. Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të vihet në rend të parë interesi i vendit para interesit personal.

Avdyli tha se s’mund të ketë zhbërje të Gjykatës Speciale, por me këtë iniciativë mund të zhbëhen vetëm marrëdhëniet e mira me vendet që kanë ndihmuar Kosovën.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë për “Zërin” se institucionet po vazhdojnë të humbasin kohë pasi Qeveria pas 30 ditësh këtë çështje sërish do t’ia dërgojë Kuvendit, i cili ka afat edhe dy muaj për ta diskutuar. Ai këtë e ka quajtur një lojë politike që po arsyetohet me procedurë.

“Qeveria ka afat 30 ditë, por nuk është e obliguar që të japë mendim. Mund të mos japë fare mendim dhe iniciativa shkon në Komisionin e Kuvendit, Komisioni ka kohë edhe dy muaj për ta diskutuar. Kështu që besoj se kjo procedurë është bërë më shumë për të blerë kohë, për ta zvarritur këtë çështje dhe për t’u mbetur përgjegjësia deputetëve nënshkrues. Po humbim kohë diku 2-3 muaj dhe prapë po vijmë te situata ku ka qenë. Është një lojë që po e arsyetojnë me procedurë”, ka thënë ai.

Mushkolaj ka thënë se kjo çështje po hidhet nga një institucion në tjetrin dhe pastaj do të përfundojë në Kuvend, por aty mund të bëhet një debat i rreptë për Gjykatën Speciale dhe të mos hidhet fare në votim.

Ai po ashtu këtë iniciativë e ka quajtur lojë kërcënimi ndaj ndërkombëtarëve e që këta të fundit drejtuesve të institucioneve po ia kthejnë me të njëjtën kartë.