Haradinaj: Kosova e izoluar, politikanët i kanë të sigurta vizat

Aktuale January 30, 2018 - 07:55

Do të ishte mirë sikur politikanëve t’u refuzoheshin vizat e ato t’u lëshoheshin qytetarëve. Kështu deklaroi dje i pari i ekzekutivit Ramush Haradinaj, i cili megjithatë tha se politikanët e kanë të sigurt marrjen e vizës.

Këto deklarata kryeministri i Kosovës i bëri pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë dhe pas raportimeve të fundit se atij i është refuzuar viza nga Ambasada e Britanisë së Madhe. Me këtë rast ai theksoi se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Shefi i Qeverisë gjatë së hënës foli edhe rreth vizitës së kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviq, i cili pritet të vijë në Kosovë më 6 shkurt, ku tha se ajo do të jetë e fokusuar në thellimin e raporteve mes dy shteteve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ndërkohë, sa i përket iniciativës për ta zhbërë Gjykatën Speciale kryetari i Qeverisë, duke mos dhënë detaje, deklaroi se ajo tashmë është duke kaluar në procedura të rregullta.

Haradinaj gjatë konferencës për medie tha se Kosova aktualisht është e izoluar.

“Mirë do të na bënin neve politikanëve të na i refuzonin, t’ua jepnin qytetarëve. Politikanët i marrin vizat, besoni, mos ua mbani dertin, sigurt i marrin. Problemi është që Kosova është e izoluar”, u shpreh ai.

Sa i përket çështjes së demarkacionit, Haradinaj tha se Qeveria është pro asaj që të arrihet një zgjidhje, mirëpo u shpreh skeptik nëse ka ende gjasa që kjo marrëveshje të negociohet sërish me Malin e Zi.

LEXO EDHE: Zgjidhja e fshehtë për Demarkacionin

“Unë pres çdo kontribut në çdo aspekt që ndihmon te gjetja e zgjidhjes, jemi të interesuar për të gjetur zgjidhje, më shumë nuk di. Tema është në Parlament, nuk ka mbetur shumë hapësirë e negocimit mes kryeministrave”, theksoi i pari i Qeverisë, shkruan tutje "Zëri".

Ndërkohë, duke folur rreth vizitës që pritet ta bëjë në Kosovë homologu i tij nga Mali i Zi, Haradinaj nuk dha detaje rreth Demarkacionit.

“Kryeministri i Malit të Zi e nderon Kosovën me këtë vizitë dhe ne e presim në nivelin më të lartë shtetëror. Bisedojmë për temat bilaterale, por qëllimi i kësaj vizite në fokus ka thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, u shpreh ai.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së djeshme Qeveria e Kosovës miratoi programin për reforma në ekonomi për vitin 2018-2010.

Me këtë rast ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Kosova ka për obligim që të zhvillojë dialog me Komision Evropian mbi politikat ekonomike të vendit.

“Përmes këtij dialogu vendi ynë dëshmon për progresin dhe në të njëjtën kohë shtjellon planet për reformat e ndryshme ekonomike, që nevojiten për t’u përballur në konferencën e tregut të vetëm evropian. Programi për reforma në ekonomi është bazë e këtij dialogu dhe tash është hera e katërt që ne si Kosovë e dorëzojnë këtë dokument në Komision Evropian”, tha ai. /ZËRI/