Zgjidhja e fshehtë për Demarkacionin

Aktuale January 30, 2018 - 07:49

Zëvendëskryeministri i  Kosovës, Fatmir Limaj, ka paralajmëruar një zgjidhje të përbashkët për Demarkacionin me Malin e Zi, duke mos dhënë detaje rreth saj. Megjithatë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se është për ta gjetur një zgjidhje, mirëpo nuk ka mbetur shumë hapësirë për ta rinegociuar këtë marrëveshje, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Një javë para se kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ta vizitojë Kosovën (6 shkurt), zëvendëskryeministri i  Kosovës, Fatmir Limaj, ka paralajmëruar një zgjidhje të përbashkët për Demarkacionin (për të dyja shtetet), duke mos dhënë detaje rreth saj.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se është për ta gjetur një zgjidhje, mirëpo sipas tij nuk ka mbetur shumë hapësirë për ta rinegociuar këtë marrëveshje, shkruan tutje "Zëri".

Nga ana tjetër, partitë opozitare janë shprehur të vendosura se partnerët e koalicionit qeverisës janë duke e zvarritur këtë çështje meqë janë duke kërkuar arsyetim për ta mbështetur këtë version, të cilin e kanë kundërshtuar.

Mirëpo, përderisa AAK-ja e Nisma (që janë kundër këtij versioni) kanë mohuar se do ta votojnë variantin e tanishëm, përfaqësuesit e PDK-së janë shprehur optimistë se do t’i ndryshojnë rrethanat dhe bindjet sa i përket Demarkacionit dhe se do të arrihet një zgjidhje përfundimtare.

Ndërkohë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë thirrje që të miratohet Demarkacioni në mënyrë që të hapet rruga drejt liberalizimit.

Ajo për “Zërin” ka thënë se qytetarët e Kosovës do të mundë të udhëtojnë pa viza 3 deri në 6 muaj pasi të miratohet kjo marrëveshje.

Haradinaj: Jemi të interesuar për zgjidhje

Pavarësisht se zëvendëskryeministri Fatmir Limaj po vazhdon ta paralajmërojë një zgjidhje të përbashkët lidhur me Demarkacionin, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se kjo çështje tashmë i takon Kuvendit.

Megjithatë, ai tha se është për atë që të ofrohet një zgjidhje për këtë marrëveshjeje, porse sipas tij nuk ka shumë mundësi që kjo çështje të rinegociohet.

“Unë pres çdo kontribut në çdo aspekt që ndihmon te gjetja e zgjidhjes, jemi të interesuar për të gjetur zgjidhje, më shumë nuk di”, u shpreh ai.

E ndonëse pritet që kryeministri i Malit të Zi ta vizitojë Kosovën në fillim të shkurtit, Haradinaj ka thënë se arsyeja e vizitës ka të bëjë kryesisht me thellimin e raporteve mes dy shteteve.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje që të miratohet Demarkacioni, meqë sipas tij një vendim i tillë do ta hapte rrugën për të lëvizur jashtë vendit.

Hoxha: Liberalizimi, 3-6 muaj pas ratifikimit të Demarkacionit

Nga ana tjetër, edhe Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka kërkuar që të ratifikohet kjo marrëveshje, në mënyrë që të vendoset për interesin e qytetarëve.

Hoxha më tej ka thënë se Demarkacioni është çështje e shpikur si kauzë opozitare, e cila, siç ajo është shprehur, është ngritur në nivelin e luftës për pushtet duke u munduar të prodhojë “patriotë e tradhtarë”. E po që se miratohet Demarkacioni, Hoxha është shprehur e bindur se liberalizimi i vizave do të ndodhë më së largu 3 deri në 6 muaj.

“Besoj se tre deri në 6 muaj pas ratifikimit të Demarkacionit, gjithmonë duke iu referuar praktikave me vendet e rajonit që u është aprovuar liberalizimi i vizave, qytetarët e vendit tonë mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së”, ka nënvizuar Hoxha gjatë një prononcimi për “Zërin”.

AAK-ja e Nisma nuk mbështesin versionin aktual të Demarkacionit

Megjithatë, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu ka thënë se ky subjekt nuk do ta votojë versionin aktual të Demarkacionit. Sipas saj, për zvarritjen që po i bëhet kësaj marrëveshjeje përgjegjësinë kryesore e ka Kuvendi i Kosovës.

“Zvarritja që po i bëhet është pikërisht faji i Kuvendit. Kjo çështje duhet të marrë epilog”, ka deklaruar ajo.

Edhe deputeti i Nismës, Enver Hoti, ka thënë se kjo parti nuk është duke shikuar mundësitë për të ndërruar qëndrimin.

Pavarësisht kësaj, deputeti i PDK-së Fatmir Xhelili është shprehur optimist se do të gjendet një zgjidhje sa i përket Demarkacionit, ani pse koalicioni qeverisës ka qëndrime të ndryshme lidhur me këtë çështje.

“Gjithherë në politikë ka zgjidhje, ndryshojnë rrethanat, ndryshon faktori kohë. Ndryshojnë qëndrimet, interesat. Unë shpresoj prapë që ka mundësi të gjendet një zgjidhje”, është shprehur ai për “Zërin”.

Selmanaj: Koalicioni po kërkon arsyetim për ta votuar versionin aktual

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj ka thënë se koalicioni qeverisës po e zvarrit çështjen e demarkacionit, meqë po synon ta gjejë një arsyetim për ta mbështetur këtë version që është tani.

“Tash varet se si koordinohet koalicioni qeverisës, sepse ata janë të vetëdijshëm që kjo marrëveshje vështirë që do të vendoset në seancë për t’u rrëzuar. Për këtë tash ata po kërkojnë kohë, që të gjejnë ndonjë modalitet për të dalë nga kjo situatë. Tash besoj e presin edhe vizitën e kryeministrit të Malit të Zi, që do ta bëjë më 6 shkurt, më pas provojnë eventualisht që ta vendosin në seancë plenare”, është shprehur ai për “Zërin”.

Krejt këtë situatë Selmanaj e ka cilësuar si lojë që po bëhet nga partitë në pushtet. Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar kategorikisht deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti.

“Është e pavërtetë që ne po dëshirojmë të gjejmë rrugë për ta votuar këtë version aktual. Ne jemi duke kërkuar që Qeveria t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë, që mendoj se janë mundësi reale, në bashkëpunim me qeverinë e Malit të Zi”, ka deklaruar ai.

Kurse deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ali Lajçi, ka thënë se kjo Marrëveshje do të duhej të dërgohej në Kuvend dhe të rrëzohej, në mënyrë që të hapej rruga për rinegocim me Malin e Zi.

“Derisa ata e mbajnë kështu peng dhe e konservojnë sigurisht se e zgjasin atë, por e zgjasin edhe dhënien e vizave”, ka thënë ai.  

Demhasaj: Demarkacioni mund të votohet si është, pastaj të rihapet për diskutim

Në anën tjetër, Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu” ka vlerësuar se arsyeja se pse po zvarritet çështja e demarkacionit ka të bëjë me synimin për t’ia ofruar një zgjidhje kësaj marrëveshjeje.

Megjithatë, Demhasaj ka thënë se kjo nuk ka të bëjë me tendencën për ta votuar këtë version nga partitë që kanë kundërshtuar atë (AAK-ja e Nisma).

Porse, sipas tij, me synimin që të arrihet një marrëveshje me Malin e Zi për ta rihapur sërish çështjen e demarkacionit pas votimit.

“Të votohet si e tillë çfarë është, pastaj të hapet diskutimi dhe të përmirësohen gabimet. Ndoshta kjo është arsyeja pse po vonohet. Përndryshe nuk ka arsye tjetër pse nuk shkon në Kuvend”, ka shtuar ai.

Ndërkaq Rasim Alija, hulumtues në organizatën “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka thënë se Qeveria aktuale po e zvarrit Demarkacionin për arsye politike.

“Zvarritja e Demarkacionit është kryekëput kalkulim i subjekteve politike që janë në koalicion dhe vjen si pasojë e qëndrimeve të kundërta që kanë partnerët e koalicionit lidhur me Demarkacionin”, ka potencuar ai.