Hoxhaj: Deklaratat e Rusisë për Ivanoviqin nuk e kanë në fokus drejtësinë, por destabilitetin

Aktuale January 29, 2018 - 22:45

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, deklaratat e lëshuara zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, në lidhje me procesin e hetimeve për vrasjen e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i konsideron përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, dhe për ta dëmtuar kredibilitetin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Në një deklaratë dhënë BIRN-it, Hoxhaj ka thënë se këto deklarata nuk e kanë në fokus drejtësinë por destabilitetin.

“Këto deklarata janë qëllimkëqija dhe destruktive të cilat nuk e kanë në fokus drejtësinë por destabilitetin. I tillë ka qenë çdo herë roli i Rusisë në raport me Kosovën dhe rajonin. Ballkani Perëndimor mbetet politikisht, gjeografikisht dhe historikisht një rajon evropian i përkushtuar për integrimin në BE, NATO dhe strukturat tjera eurotlantike”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj shtoi në emër të Qeverisë se çfarëdo deklarate politike është e dëmshme dhe e papranueshme. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme tw Rusisw tha sot se, Prishtina dhe aleatët e saj po fshehin dicka në lidhje me hetimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.