Ilir Deda tregon se si zgjidhet shpejt Demarkacioni

Aktuale January 29, 2018 - 19:37

Deputeti i Alternativës Ilir Deda vlerëson se ata që flasin për rinegocim të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nuk janë të bazuar në realitetin aktual. Thotë se zgjidhje e vetme është mbërritja e një konsensusi të cilin njëjtë si Qeveria e kaluar nuk po e kërkon as aktualja.

“S’ka rigecionim të Marrëveshjes. Ai është skenar që nuk i përket realitetit në të cilin ne jetojmë. Tash ne të marrim vendime të cilat vështirësojnë jetën e njerëzve tonë për shkak të jo realitetit, po më vjen shumë keq”, tha Deda për televizionin "Dukagjini".

Po si duhet të veprohet sipas Dedës?

“Pas përfundimit të vizitës së kryeministrit të Malit të Zi, kryeministri i Kosovës duhet t’i thërrasë partitë politike në takim ku do të diskutohej bashkë se si të ecet përpara për të ndërtuar konsensus”, theksoi ai.

Por a është i vështirë konsensusi në një situatë të tillë?

“Konsensusi gjithmonë është i mundur nëse ka vullnet për me u mbërri. Kam mëndu që kryeministri Haradinaj ka me tentuar me arrit konsensus por ai nuk po e bën një gjë të tillë, gjë që është zhgënjyese”, tha Deda.

“Nëse Qeveria e kaluar nuk ka mbërri konsensus dhe ne kemi mbet të bllokuar, atëherë logjika e thotë që kjo e tashmja ishte dashtë ta kërkojë atë”, thotë Deda.

Po sot, kryeministri Ramush Haradinaj tha se në takim me homologun malazez Dushko Markoviq nuk do të diskutohet për demarkacionin.

“Sa i përket Demarkacionit tema është në Parlament dhe nuk ka mbetur hapësirë për negocim mes kryeministrave”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri i Malit të Zi, Markoviq, do ta vizitojë Kosovën më 6 shkurt.