Haradinaj: Politikanët i marrin vizat, mos ia mbani dertin

Aktuale January 29, 2018 - 12:43

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në konferencën e mbajtur për gazetarë pas mbledhjes së Qeverisë tha se vizita e kryeministrit të Malit të Zi në Kosovë është nder që i bëhet vendit, por sipas tij, nuk ka shumë hapësirë diskutimi për Demarkacionin.

Haradinaj ka folur edhe rreth raportimit në media se i është refuzuar edhe viza për Britani të Madhe, pastaj ka folur edhe Gjykatën Speciale etj.

Kryeministri në një adresim para mediave tha se vizita e kryeministrit të Malit të Zi është nder që i bëhet Kosovës.

Ai tha me këtë vizitë tentohet të thellohen raportet ndërshtetërore dhe të nënshkruhet një protokoll bashkëpunimi, ndërsa lidhur me mundësinë e diskutimit të marrëveshjes për Demarkacionin, Haradinaj tha se tema është në Kuvend dhe ka pak hapësirë diskutimi rreth kësaj çështje.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka folur edhe rreth raportimeve se i është refuzuar viza edhe për vizitë në Britani të Madhe, raporton Telegrafi.

“Shumë keq është nëse ndodh. Mirë na i kishin bo politikanëve me na i refuzu vizat, por me ja u jep qytetarëve. Politikanët i marrin vizat, mos ia bani dertin… Problemi është që Kosova është e izoluar’, tha Haradinaj.

“Unë kom vizitë në Angli me 26 shkutt. Për me qenë i rregullt kom aplikuar si çdo qytetar, procedura më e shkurta ish pesë ditë. S’kam kërkua procedurë të jashtëzakonshme. Shkrimet që kanë ndodh nuk e di pse jonë ashtu por nuk është e vërteta”, tha Haradinaj.

Ai tha se çështja e shfuqizimit të ligjit ka ardhur në Qeveri, është në procedurë të zakonshme dhe do të jetë në rend dite kurdo që e sjell procedura.