Havolli nis mbledhjen e nënshkrimeve për seancë rreth ajrit të ndotur

Aktuale January 28, 2018 - 19:52

Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sokol Havolli thotë se do të fillojë të kërkojë nënshkrime nga të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës për seancë të jashtëzakonshme në lidhje me ndotjen e ajrit në Prishtinë.

Sipas tij, ka shumë diskutime rreth kësaj çështje, por se askush nuk po ndërmerr masa të menjëhershme për ta përmirësuar nivelin e ndotjes së ajrit.

Ai shtoi se listën me disa hapa preliminar për adresim të emergjent ai do ta paraqesë në seancë.

Shkrimi i plotë i Havollit në Facebook:

NDOTJA E AJRIT NË PRISHTINË!

Nga nesër do të filloj të kërkojë nënshkrimet e të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës për seancë të jashtzakonshme lidhur me nivelin e ndotjes së ajrit në Kryeqytet.

Kjo temë ishte aktuale edhe vitin e kaluar. U nisën disa masa nga Qeveria, por se ku kanë mbetur më nuk ka informata.

Në anën tjetër, asnjë hulumtim shkencor nuk ka se kush janë shkaktarët e ndotjes.

Diskutohet se është KEK-u, por KEK-u nuk prekë çdo lagje të Prishtinës.

Diskutohet se janë automjetet, por asnjë hulumtim specifik nuk ka.

Diskutohet edhe për përdorimin e qymyrit nga ekonomitë familjare (mjaft e bazuar sepse edhe lagjet që gravitojnë tek parku i taukbashqes janë po aq të ndotura). E shumë shkaktarë të tjerë.

Në këtë seancë do të parashtrojmë problemin që tashmë eshtë sikur elefanti në dhomë, dhe do të shprehim me të gjithë asambleistët e nënshkruar gatishmërinë që përmes vendimarrjes së Kuvendit Komunal të merrem hapa të nevojshëm për periudhën afatshkurtë, por edhe të obligohet ekzekutivi që në periudhë afatgjatë të adresoj problemin e ajrit të ndotur.

Një listë me disa hapa preliminar për adresim të emergjent do ta paraqes në seancë. 

Ndërkohë prishtinasit po kërkojnë që çështja e ndotjes së ambientit të merret më seriozisht nga ana e Qeverisë dhe pushtetit lokal.

Kështu, të mërkurën në kryeqytet do të protestohet. Thirrje për protestë është duke u bërë në rrjetin social në Facebook.