Deklaratat e Vulinit janë kërcënim për Kosovën

Aktuale January 27, 2018 - 20:16

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb të mbrojtjes, Aleksandar Vulin i cili gjatë ditës tha se ushtria serbe po monitoron situatën në veri të Kosovës.

Hoxhaj në një postim në rrjetin social twitter ka shkruar se deklaratat e tilla janë kërcënim për Kosovën.

“Deklaratat si kjo e Vulinit janë kërcënim për sigurinë në Kosovë dhe mund të shkaktojnë destabilizim”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai tutje ka thënë se përgjegjës për sigurinë në Kosovë janë institucionet si FSK-ja, KFOR-i dhe EULEX.

“Gjendja në pjesën veriore është e qetë dhe e qëndrueshme. Institucionet përgjegjëse për siguri janë Policia e Kosovës, FSK-ja, KFOR-i dhe Eulex-I”, përfundon statusi i Hoxhajt.

Ndryshe, Vulin më herët gjithashtu theksoi se “ushtria serbe do t’i mbajë të sigurt serbët e Kosovës”.