Qeveritarët falsifikojnë paratë në Kosovë

Aktuale January 26, 2018 - 11:22


Besim Rexhepi, kandidati i PDK-së për asamblist në Kuvendin Komunal të Vitisë, është arrestuar në fillim të këtij viti nën dyshimin për falsifikim parash.

Në veturën, të cilën e drejtonte Rexhepi, janë zbuluar 5 mijë e 400 euro të falsifikuara. Kështu kishte raportuar Gazeta JnK.

Por, rasti i Rexhepit nuk është i vetmi në Kosovë. Ka raste kur qytetarët edhe deponojnë në banka para false.

Një rast i tillë ka ndodhur hiç më larg se dje.  Sipas Policisë së Kosovës një person ka deponuar një shumë parash (4×200 euro), që dyshohet të jenë të falsifikuar.

E sipas të dhënave të Policisë në tri vitet e fundit për falsifikim parash janë raportuar mbi 2 mijë e 50 raste.

Ky fenomen nga viti në vit ka ardhur duke u rritur më shumë.

Prishtina, Prizreni e Ferizaj po del të jenë qytetet ku falsifikohen më së shumti parat. Nga 2 mijë e 50 raste sa janë raportuar në tri vitet e fundit për falsifikim parash në tërë Kosovën, 983 prej tyre janë raportuar vetëm në kryeqytet.

Pas kryeqytetit renditet Prizreni me 253 raste e Ferizaj me 196 raste të falsifikimit të parave.

Së paku kështu kanë deklaruar nga Policia e Kosovës për Gazetën Fjala.

Më mirë nuk qëndrojnë as qytetet e tjera. Para të falsifikuara janë raportuar edhe në aeroport. Katër të tilla.

“DPP -44 raste, Ferizaj-  196 raste , Gjakovë-  116, Gjilan- 122, Mitrovicë e Jugut- 138, Mitrovicë e Veriut- 12, Peja- 180, Prishtinë- 983, Prizren- 253, Aeroport- 4, Gjakovë- 2, Kaqanik- 1”, kanë thënë në Policinë e Kosovës për Gazetën Fjala.

Se sa shqetësuese dhe e rrezikshme për qytetarët është duke u bërë kjo dukuri, tregon një rast i vitit 2016, kur Policia e Kosovës konfiskoi 2 milionë e 131 mijë euro. Të gjitha para të falsifikuara në Kosovë, shkruan Gazeta Fjala.

Raste të shumta të falsifikimit të parave ishin raportuar edhe në fillim të vitit që lamë pas. Vetëm në tre muajt e parë të 2017-ës ishin raportuar 199 raste të falsifikim të parasë.

Në total vlera e parave të falsifikuara për këtë periudhë ishte 15 mijë e 793 euro.

“Si rezultat i punës dhe angazhimeve të Policisë se Kosovës lidhur me këto raste janë arrestuar 18 persona të cilët kanë qenë të involvuar në veprime të tilla të kundërligjshme, dhe janë konfiskuar para të dyshuara si të falsifikuara”, kishin thënë Zyra për informim në Policinë e Kosovës.

Bankënota 50 euro, më e falsifikuara

Kartëmonedha më e falsifikuar del të jetë bankënota prej 50 euro, kurse më se paku falsifikohen monedha në vlerë 5 euro. Kështu del sipas rasteve që janë raportuar në Polici

Për tre muajt e parë të 2017-ës, ishin raportuar 199 raste të falsifikimit të bankënotës 50 euro, gjë që e bënë monedhën më të falsifikuar.

44 raste tjera ishin raportuar për 50 euro, 2 raste të bankënotës 500 euro, ndërsa 20 euro është falsifikuar 11 herë këtë periudhë.

Po ashtu disa raste të falsifikimit janë edhe për paratë metalike si 50 cent e 2 euro.

Ekspertët: Kjo dukuri po bëhet rrezik i madh për qytetarët

E njohësit e ekonomisë po vlerësojnë se rreziku I qytetarëve sa u përket falsifikimeve është gjithnjë i madh.

Njohësi I ekonomisë, Milazim Abazi ka thënë për Gazetën Fjala se të gjitha bankat duhet të pajisen me aparate të cilat tregojnë falsifikimet e parave. Thotë se  nuk është lehtë të dallohen me sy.

Deklaron se organet e rendit dhe të ligjit janë institucionet kompetente që duhet luftuar këtë dukuri.

“Duhet t’i kontrolloj kufijtë sepse ajo është rruga ku më së shumti hyn monedhat e falsifikuara, porse nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë punëtorie që ka mundur të hapet për falsifikim e tyre, ku dihet se krimi i organizuar tek ne është i madh” ka thënë Abazi.

Një mënyrë tjetër për t’i ndalur falsifikatorët sipas Abazit janë dënimet e larta që duhet të jepen.

Edhe drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë se kohëve të fundit kanë vërejtur se ka një rritje të qarkullimit të parave të falsifikuara në ekonominë e vendit.

Duke pasur parasysh këtë, shton Balija, janë duke ushtruar vigjilencë në këtë drejtim duke identifikuar bankënotat e falsifikuara që tentojnë të deponohen në banka dhe më pas të veprojnë sipas ligjeve në fuqi.

“Kjo shkakton probleme qoftë për bizneset dhe qytetarët që deponojnë apo i përdorin këto para, pasi që merren në pyetje dhe iu kërkohet përgjegjësi për prejardhjen e këtyre parave. Përveç kësaj, kjo ndihmon në financimin e ekonomisë së zezë ose edhe më keq veprimtaritë kriminale dhe financimit të terrorizmit, prandaj është një humbje e madhe për shtetin nëse nuk konfiskohen apo nuk evitohen me kohë këto situata”.

Ndryshe rasti më i madh i falsifikimit të monedhave që nga paslufta ka ndodhur vitin e kaluar. Policia konfiskoi monedha të falsifikuara në vlerë  mbi 2 milionë euro. /Gazeta Fjala