Familja e Astrit Deharit dorëzon dy kërkesa për ministrin e Drejtësisë

Aktuale January 25, 2018 - 16:59

Njëri nga vendimet e para të Qeverisë Haradinaj ishte ndarja e shumës prej 50 mijë euro për ekspertizën që do të bëhej jashtë vendit dhe që do të hidhte dritë mbi vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.

Mirëpo, deri dje prokuroria e shtetit nuk i është përgjigjur familjes Dehari, e cila kërkuar që kjo ekspertizë të kryhej në Zvicër.

Gazeta Express ka siguruar dy kërkesat që avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, i ka dërguar sot në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe në Ministrinë e Drejtësisë.

Në kërkesën drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht ministrit Abelard Tahiri, Gashi kërkon që familja Dehari të ketë kopje të dokumenteve që janë dërguar te kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi si dhe te Prokurori i Prokurorisë Themelore, Metush Biraj.

Ndërsa, në kërkesën që i ka dërguar prokurorisë, familja Dehari përmes avokatit mbrojtës kërkon që të kenë të gjitha kopjet e dokumenteve dhe provave që do të dërgohen në institutin në Zvicër.

Krejt kjo, sipas kërkesave, për t’u siguruar që aty të kryhen hetime të pavarura si dhe të bëhet super ekspertiza mjeko-ligjore.

Kujtojmë që kuvendi kishte miratuar një rezolutë, sipas të cilës familja e Astrit Deharit mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA dhe Qeveria do të kujdesej për të gjitha shpenzimet.

Prindërit e Astrit Deharit thanë se ishin përcaktuar ajo të kryhej nga ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicër. Fillimisht, kjo kërkesë ishte refuzuar nga qeveria e kaluar me arsyetimin se Zvicra nuk është vend i BE-së.

Astrit Dehari aktivist i Vetëvendosjes vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor të vitit të kaluar, teksa po mbahej në lidhje me sulmin e gushtit 2016 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Image 
Image