Ministri Ismaili nënshkruan kontratën për Spitalin e Ferizajt

Aktuale January 25, 2018 - 14:55

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nënshkruar sot kontratën për spitalin e Ferizajt. Nënshkrimi i kësaj kontrate i hap rrugë fillimit të punimeve për ndërtimin e këtij spitali, i cili është zvarritur tani e disa vite.

Ismaili tha se nënshkrimi i kësaj kontrate është një lajm i mirë për qytetarët e Ferizajt, të cilëve u ka munguar një spital i denjë ku ata do të merrnin shërbimet profesionale, të cilat i meritojnë.

“Ky është një lajm shumë i mirë për qytetin e Ferizajt dhe qytetarët e tij. Atyre u ka munguar një spital për shumë vite. Unë iu pata premtuar qytetarëve të Ferizajt që posa ta marr detyrën do ta shtyj përpara këtë proces, dhe sot kjo u bë realitet”, ka thënë ministri Ismaili.

Më tej, ai ka shtuar se nënshkrimi i kësaj kontrate tashmë u hap rrugë punimeve për ndërtimin e spitalit, i cili pritet të përfundojë brenda 3 vjetëve.

“Ky projekt është paraparë të përfundojë brenda tri vjetëve, pra brenda këtij mandati qeverisës. Kurse, unë do të jem garantues i respektimit të afateve ligjore, pasi që ky projekt mjaft është zvarritur”, ka përfunduar ai./Telegrafi/

 

Image
Image