Film për kosovarët që iu bashkuan ISIS-it

Aktuale January 25, 2018 - 10:32

Filmi ‘Forgive Me’ i regjisorit kosovar Besim Ugzmajli, trajton shkuarjen e shumë qytetarëve të Kosovës në zonat e luftës në Siri e Irak si dhe tragjedinë që përjetojnë familjarët.

Ngjarja në film zhvillohet në dy qytete, Ferizaj dhe Prishtinë. Një imam kosovar e bindë një të ri me emrin Bujar për të shkuar në Siri. Ai u bashkohet grupeve radikale tinëzisht dhe i kërkon ndihmë vëllait të tij t’ia dërgojë atje edhe gruan.

“Filmi flet për dramën që lënë në familjet e tyre në momentin që dikush vendos t’i bashkëngjitet luftës në Siri. Ideja ime nuk ka qenë ta interpretoj ose t’i jap të drejtë ose jo shkuarjes së tillë. Ka qenë kryesisht një angazhim i imi për të treguar një dramë, e cila shkaktohet në familje kur dikush vendos të marrë një vendim tillë”, ka thënë regjisori për Radion Evropa e Lirë.

Image

“Ky film ka qenë i vështirë edhe profesionalisht por edhe personalisht, për shkak se është temë e cila zgjon shumë debate edhe normal duhet me qenë i përgatitur me u marrë edhe pas realizimit të filmit me plotë çështje”.

Filmi i metrazhit të shkurtë që ende nuk është dhënë premierë në Kosovë, është përzgjedhur të shfaqet në festivale në Manchester, New York dhe Irlandë.