Lëvizja në ''rikuerc'' e ''Vetëvendosjes''

Aktuale January 25, 2018 - 08:01

Nëse të pakënaqurit nga lëvizja “Vetëvendosje” do ta formojnë një subjekt të ri politik me në krye Visar Ymerin, LDK-së do t’i kalojë primati i partisë më të madhe parlamentare, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Albin Kurti pas konfirmimit si kryetar i ri i lëvizjes “Vetëvendosje” deklaroi se pavarësisht dorëheqjeve partia nuk do të ndahet.

Sipas tij, janë disa dorëheqje të aktivistëve të zëshëm dhe me përgjegjësi, duke aluduar në ish-kryetarin Visar Ymerin, në ish-nënkryetarin Dardan Sejdiun dhe në disa deputetë të tjerë dhe asgjë më shumë.

LEXO EDHE: S’ka ushtri, s’ka as dorëheqje

Megjithatë, analistët politikë vlerësojnë se partia e Albin Kurtit pothuajse do të përgjysmohet, duke aluduar në numrin e deputetëve të rreshtuar nga krahu anti-Kurti, ku përfshihet ish-sekretari Dardan Molliqaj, ish-kryetari Visar Ymeri, etj.

Këta të fundit e kanë kundërshtuar kandidimin e Albin Kurtit për kryetar të lëvizjes “Vetëvendosje” pas shpërfaqjes së pakënaqësive të brendshme.

Gazeta Zëri javën e kaluar ka raportuar se për shkak të këtyre pakënaqësive grupi i Molliqajt së shpejti pritet ta formojë një subjekt të ri politik, të cilin do ta udhëheqë ish-kryetari Visar Ymeri, me emrin “Alternativa Socialdemokrate”.

Me largimin e mbi 10 deputetëve nga lëvizja “Vetëvendosje”, aq sa thuhet se janë grupi që e kundërshtojnë Kurtin, primatin si partia më e madhe parlamentare do ta ketë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ndarja, e pashmangshme

Deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët nuk e përkrahin zgjedhjen e Albin Kurtit për kryetar të partisë, po presin zgjidhje nga Shpend Ahmeti e Glauk Konjuca, të cilët Kryesia e partisë i ka përzgjedhur për të negociuar me të dyja palët.

Por nëse këta dy të fundit nuk arrijnë ta gjejnë një zgjidhje, deputetët e pakënaqur (Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina, Aida Derguti, Dukagjin Gorani, Donika Kadaj, Dardan Sejdiu etj.) janë deklaruar se do t’i ndajnë rrugët me lëvizjen “Vetëvendosje”, duke formuar një parti të re.

Ditë më parë deputetja Shqipe Pantina ka deklaruar për “Zërin” se nuk sheh zgjidhje të problemeve në parti dhe se nuk e përjashton mundësinë për formimin e partisë së re.

Mirëpo me formimin e një partie të re, që do të përbëhej nga një numër i madh i deputetëve të “Vetëvendosjes” (që kanë akumuluar një numër të madh votash për partinë), kjo e fundit do të dëmtohej tej mase. Kështu thonë njohës të çështjeve politike, të cilët konsiderojnë që kryetari i ri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti po bën gabim kur thotë se “partia po pastrohet”.

“Është e sigurt që ‘Vetëvendosja’ do të dëmtohet pavarësisht disa deklaratave të Albin Kurtit se partia po pastrohet dhe do të dalë edhe më e fortë. Ky është një budallallëk nëse dikush mendon kështu për shkak se ajo do të dobësohet, në këtë rast do ta pësojë rëndë”, ka thënë Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike.  

Rënia e LVV-së ngre LDK-në

Sipas analistëve, një ndarje e “Vetëvendosjes” do të prodhonte ndryshime edhe në hierarkinë e Kuvendit të Kosovës. “Vetëvendosja” si partia më e madhe në vend (me 32 deputetë) nuk do ta gëzonte më këtë epitet në rast se nga LVV-ja largohen vetëm tetë deputetë, pasi primati i partisë më të madhe do t’i kalonte LDK-së, e cila ka 25 deputetë në Kuvend.  

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka shpjeguar për gazetën “Zëri” se me themelimin e një partie të re nga të pakënaqurit e “Vetëvendosjes” kjo e fundit do të dobësohej shumë.

“Nëse themelohet një subjekt i ri politik dhe nëse të pakënaqurit e LVV-së, që janë një numër i konsiderueshëm i deputetëve, largohen nga Grupi Parlamentar i LVV-së kjo do të ndikonte direkt në fuqinë e saj brenda Kuvendit të Kosovës. E dimë që për momentin kjo parti është subjekti më i madh parlamentar në Kuvend me 32 deputetë, mirëpo e kemi LDK-në që i ka 25 deputetë dhe është subjekti i dytë për nga fuqia parlamentare. Nëse vetëm tetë deputetë largohen nga ‘Vetëvendosja’, atëherë primatin si grupi më i madh e merr LDK-ja”, ka thënë ai.

Kurse, sipas tij, nëse nga LVV-ja largohen 10 deputetë, atëherë LVV-ja do të mbetej në vendin e tretë, pasi është edhe PDK-ja si grup parlamentar i cili do ta tejkalonte.

Dy parti, një ideologji

Në anën tjetër, Imer Mushkolaj thotë se partia e re e formuar do ta ketë të vështirë ta bëjë diferencën nga “Vetëvendosja”, pasi siç thotë ai deputetët e të dyja palëve mbajnë qëndrimet e njëjta për çështjet e mëdha.

“Është çështje tjetër pastaj se si do të arrijnë ta sqarojnë para opinionit dhe para votuesve atë diferencën çka i bën ndryshe nga “Vetëvendosja”, d.m.th. sa u përket temave të mëdha për të cilat është shquar ajo”, ka thënë ai.

Njëjtë mendon edhe Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, i cili tha se pavarësisht se deputetët e pakënaqur të lëvizjes “Vetëvendosje” mund ta formojnë një subjekt të ri politik, kjo sipas tij nuk do të përbëjë shumë ndryshim pasi deputetët e të dyja palëve nuk kanë ndryshime në aspektin politik.

Qëndrimet e tyre për çështjet e mëdha do të mbeten të njëjta.

“Problemi është se pavarësisht që LVV-ja mund të ndahet në dy grupe agjenda e tyre edhe pas ndarjes së deputetëve nuk do të dallojë shumë, sepse nuk kanë dallime të mëdha sa u përket aspekteve politike që ne i kemi në shoqëri. Qëndrimet e tyre, edhe pse të ndarë në dy grupe, do të jenë të njëjta”, tha ai.

Ndërsa profesori universitar Dashnim Ismajli thotë se ndarja e LVV-së do të kuptohet si ndarje për interesa të ngushta, pasi, siç thotë ai, ndërmjet tyre s’do të ketë ndryshime ideologjike.

“Një ndarje e tillë nuk mund të interpretohet si ndarje për programatikë apo për profilizim ideologjik të organizatës, mirëpo më shumë  si ndarje e interesit të ngushtë të individëve dhe shprehje e apetiteve për dominim dhe hapësirë përbrenda vetë subjektit”, ka thënë ai.

Përçarja e opozitës ia zgjat jetën Qeverisë

Në anën tjetër, një ndarje e mundshme e “Vetëvendosjes” do të ndikonte edhe në jetëgjatësinë e qeverisë “Haradinaj”.

Kohë më parë deputeti i LDK-së Lutfi Haziri pati paralajmëruar se pas 100-ditëshit të Haradinajt do ta ngrehin mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Por, ndonëse Qeveria ka kaluar 100-ditshin mocioni nuk po përmendet.

Njohësit e çështjeve politike thonë se përçarja brenda LVV-së po ndikon edhe në këtë gjë pasi opozitën aktive tani për tani po e bën vetëm LDK-ja, përderisa LVV-ja po merret me çështje të brendshme partiake.

Artan Murati ka thënë se nuk pret njëherë për njëherë që opozita të ngrejë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, pasi as LVV-ja dhe as partitë e tjera nuk janë të gatshme për zgjedhje të reja.

“Ne jemi duke parë që nuk ka bashkëpunim të opozitës në Kuvend. ‘Vetëvendosja’ është shkëputur pothuajse komplet nga proceset me të cilat po merret Kosova, duke u marrë me probleme të brendshme. Kjo nënkupton që opozita tani po bëhet nga LDK-ja, ndonëse nuk ka ndonjë iniciativë dhe sinjal të mirë që do të mundë të kishte një bashkëpunim opozitar të mirëfilltë mes LDK-së e ‘Vetëvendosjes’ e sidomos tash në fazën në të cilën gjendet kjo e fundit, që nuk është e gatshme për zgjedhje të reja dhe shanset për ta përkrahur një rrëzim potencial të ekzekutivit janë shumë të vogla, pasi jo vetëm te LVV-ja, por edhe te subjektet e tjera politike disponimi për zgjedhje është i ulët”, tha ai.

Kështu mendon edhe Arton Demhasaj, i cili thotë se kjo opozitë e përçarë siç është tani do ta shkaktojë jetëgjatësinë e kësaj Qeverie.

“Në rast se kemi një opozitë të përçarë do të ndikojë që jetëgjatësia e Qeverisë të zgjatet. Mund të ndodhë që ai mocioni i mosbesimit që është përmendur që do të ngrihet mund të mos ndodhë, por mbetet të shihet”, ka thënë ai.

Ndërsa Imer Mushkolaj tha se nëse mocioni do të ngrihet shpejt, pra para se të formohet partia e re, ndoshta sipas tij edhe do të bëhej diçka në këtë drejtim. Por, siç tha ai, me ndarjen e partisë nuk pritet të ketë pastaj rrëzim të qeverisë “Haradinaj”.