Kadaj-Bujupi tregon se si do veprojë grupi parlamentar i VV-së pas përçarjes

Aktuale January 24, 2018 - 21:30

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se deputetët e kësaj partie do të vazhdojnë të punojnë së bashku dhe do të jenë unik në temat e rëndësishme dhe të mëdha për vendin.

Në një intervistë në emisionin “Monitor” të RTK-së, Kadaj-Bujupi ka thënë se përkundër mospajtimeve në parti, ata do jenë së bashku në parlament, duke theksuar se shumica e deputetëve të VV-së janë të pakënaqur me zhvillimet e fundit. 

“Jemi në fazën ku takohemi, sepse jemi miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë dhe koordinohemi për të gjitha temat parlamentare.  Besojë që qëndrimet tona sa i përket temave të rëndësishme dhe të mëdha nuk dallojnë fare, pra kjo nuk lidhet me problemin që kemi brenda VV-së dhe do të kemi bashkëpunim të mirëfilltë. Jemi të përcaktuar se çka do që e konsiderojmë për të mirën e vendit do të veprojmë bashkë dhe do të jemi unik”, është shprehur ajo. 

Ndërsa, e pyetur nëse do të ndahen nga grupi parlamentar i VV-së, deputetët të cilët janë të pakënaqur, ajo thotë se është ende herët të folët për këtë çështje, pasi nuk duan që për shkak të inateve të reagojnë tani.

LEXO EDHE: Donika Kadaj thotë se Albin Kurti po e çon Vetëvendosjen drejt dështimit

“Ne nuk jemi në fazën ku për shkak të inateve të dalim në diçka tjetër. Absolutisht do të ishte i pakuptim. Pra jemi në fazën ku së pari duhet të mendojmë për çështje më të rëndësishme të vendit”, ka shtuar ajo. 

Ndryshe, ajo ka sqaruar se për momentin pozita e saj është vetëm deputete e LVV-së.

Gjithashtu, gjatë kësaj interviste ajo ka folur edhe për katër aktivistët e Vetëvendosjes të cilët janë dënuar me 22 vjet burgim.

Sipas saj, Vetëvendosje nuk ka bërë as lëvizjen më të vogël për t’i ndihmuar atyre, për shkak se kanë qenë të zërë duke u marrë me probleme të posteve.

“Ka ndodhur një problem me dënimin e padrejtë të 4 aktivistëve tonë dhe për të cilët ky dënim i padrejtë ka mbetur nën hije sepse njerëzit brenda VV-së janë marr me postet e tyre, me vetën e tyre, ndërkohë që ata vazhdojnë të qëndrojnë padrejtësisht në burg. Ne nuk kemi bërë asnjë veprim, se kemi lëvizur as gishtin më të vogël”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ajo është mundur që ta ngritë më lartë këtë çështje, porse nuk ka marrë përkrahje.

“Asnjëherë nuk ka ndodhur një dënim kaq i madh ndaj dikujt në VV. Nuk është parë një reagim sic është pritë dhe është dashur të jetë. Janë dy çështje që më kanë preokupuar. Kam propozuar që në parlament të merren masa adekuate, por fatkeqësisht nuk jam përkrahë dhe nuk kemi bërë veprimi e duhur për t’i dalë në krahë atyre që janë në burg”, ka shtuar më tej ajo.