Peshkopët kërkojnë qëndrim unik të Kishës Serbe për Kosovën

Aktuale January 24, 2018 - 08:48

Gjashtë peshkopë të Kishës Ortodokse Serbe (SPC) kanë kërkuar nga Sinodi që të thërrasë Kuvendin, në mënyrë që Kisha të përcaktojë dhe të marrë një qëndrim unik për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Siç merr vesh gazeta serbe “Blic” peshkopët i dërguan kërkesat e tyre në dy muajt e fundit, megjithatë, Sinodi nuk iu përgjigje në mënyrë specifike asnjërit prej peshkopëve, nëse do të ketë ose jo Kuvend, apo edhe pse nuk po e thërret mbledhjen.

Burimet nga Patrikana bëjnë të ditur se peshkopët, anëtarë të Sinodit, në letrat për thirrjen e Kuvendit morën përgjigje të shkurtër “kërkesa është  regjistruar” ose “merret në konsideratë”.

Kërkesa për mbajtjen e Kuvendit nuk lidhet drejtpërdrejt me nënshkrimin e ‘Apelit për Kosovë dhe Metohi’, në të cilën kanë vënë nënshkrimin e tyre disa peshkopë dhe klerikë. Kuvendi ishte kërkuar shumë më herët sesa u hartua Apeli, përcjell Telegrafi.

“Kërkesa për mbajtjen e Kuvendit nuk është as për as kundër Presidentit Vuçiq, dhe do të ishte gabim të interpretohet ashtu. Mbajtja e Kuvendit është një rrjedhë e natyrshme, një qëndrim i përgjegjshëm dhe përgjigje ndaj gjendjes në të cilën gjendet populli dhe shteti. Çështja e Kosovës po hyn në fazën përfundimtare dhe është e nevojshme që Kisha të përcaktohet ndaj zhvillimeve. Kisha duhet që në mënyrë unike të thotë se cili është kufiri deri ku mund të shkojmë, të japim një përgjigje parlamentare ndaj thirrjes së presidentit për dialog të brendshëm mbi çështjen e Kosovës. Kjo është një periudhë historike dhe duhet të ketë një qëndrim të tillë të Kishës për problemin më të madh, e i cili do të jetë i njohur për popullin dhe shtetin”, thotë një nga peshkopët. 

“Blic” bisedoi me dy peshkopë që nuk ishin në grupin që kërkoi mbajtjen e Kuvendit. Qëndrimi i tyre është i afërt me mendimin e peshkopit që iu drejtuan Sinodit.

“E vërteta është se ndërsa nuk ka qëndrim unik kuvendar, peshkopët veprojnë sipas vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre. Pra, ne kemi nënshkrimet në Apel, por kështu kishim paraqitjen e mitroplitit që shkaktoi reagime të ndryshme në opinion, të panevojshme për Kishën. Kishës nuk i duhet politizimi”, thotë peshkopi.

Aktualisht në Kishën Serbe qarkullojnë disa versione se pse është shtyrë dhe nuk është caktuar mbajtja e Kuvendit, megjithëse të gjitha ngjarjet flasin në favor të seancës.