Kurti: Ka dorëheqje, “Vetëvendosja” s’ndahet

Aktuale January 24, 2018 - 07:52

Albin Kurti ka premtuar se do të jetë kryetar i të gjithë anëtarëve të lëvizjes “Vetëvendosje” me t’u konfirmuar nga Komisioni Zgjedhor si lider i ri i partisë, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Këto komente Kurti i ka bërë dje gjatë një konference për medie, ku ka shtuar se dorëheqjet e një numri jo të vogël të zyrtarëve partiakë nuk dëshmojnë se do të ketë ndarje në lëvizjen “Vetëvendosje”.

“Nuk mund të them se në “Vetëvendosje” ka ndarje. Ka disa dorëheqje të aktivistëve që janë të zëshëm dhe me përgjegjësi. Ka mospajtime, por këto nuk janë ndarje. Mbajtja e zgjedhjeve ishte obligim yni. Ato u mbajtën më herët pasi kaq ishte koha që i kishte mbetur Visar Ymerit e që e falënderoj për kontributin”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se nuk mban inat dhe nuk do hakmerret ndaj askujt dhe se do të jetë kryetar i “Vetëvendosjes” dhe jo shef.

LEXO EDHE: Kosova pa perspektivë në BE

“Unë e kam vullnetin e hekurt e jo dorën e hekurt. Në platformën që kam prezantuar kam thënë që dua një organizatë ku ka kritika, s’ka sharje e ofendime. Unë nuk jam shef, as pronar, sepse ‘Vetëvendosja’ nuk është ndërmarrje”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se është për lirinë e shprehjes, por në anën tjetër e jep shembullin e tij. “Asnjë njeri që ka shkruar në ‘Facebook’ nuk më ka përfaqësuar mua. Unë vlerësoj që zgjidhja është pjesëmarrja aktive e jo dorëheqja. Unë nuk mbaj inat ndaj askujt, as nuk hakmerrem dhe nuk do ta përdori dorën e hekurt”, tha ai. 

Kurti po ashtu ka thënë se kishte pasur besim të madh që do të kishte kundërkandidatë për të parin e partisë, por shton se kjo ka ndodhur pa fajin e tij, shkruan tutje 'Zëri'. 

Kurse për mundësinë e ndarjes së lëvizjes “Vetëvendosje” Kurti ka thënë se tashmë është detyrë e dy të zgjedhurve, Shpend Ahmetit e Glauk Konjufcës, për ta zgjidhur këtë çështje. Këta të dy janë zgjedhur nga partia për të negociuar me të dyja palët për një zgjidhje të mundshme

“Është detyrë e dy të zgjedhurve që të procedojnë më tutje dhe mendoj që ata duhet të flasin për hapat e mëtutjeshëm. Kam pasur shpresë që në këto zgjedhje do të kemi edhe kandidatura të tjera”, ka thënë Kurti.

Ai ka mohuar raportimet se në “Vetëvendosje” aktivistët e quajnë “babë” ose “komandant”. “Jo, sepse s’jemi në luftë, jemi në paqe dhe jam vetëm kryetar i LVV-së”, ka thënë ai.