Apostollova: Kosova të mos mbetet peng i individëve!

Aktuale January 24, 2018 - 07:38

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalija Apostolova, ka deklaruar se Demarkacioni me Malin e Zi dhe Gjykata Speciale e përcaktojnë të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE), shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

E para e BE-së në Kosovë këto komente i ka bërë të martën gjatë një konference për medie, ku bashkë me ambasadorin e Bullgarisë në Prishtinë, Nedialtço Dantçev, kanë prezantuar prioritetet e Presidencës bullgare gjatë kryesimit të BE-së. 

Ambasadorja Apostolova ka thënë se Kosova duhet të dëshmojë vlera evropiane, prandaj sipas saj Marrëveshja e Demarkacionit duhet të ratifikohet në Parlament. 

Ajo ka shtuar se Kosova nuk duhet të mbetet peng i individëve, sepse, siç tha ajo, kjo marrëveshje është çështje me interes kombëtar për vendin. 

“Kosova ka gjasë që të ndikojë në të ardhmen e saj, duke i bërë gjërat e duhura, duhet ta ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit, ajo duhet të ratifikohet si çështje e rëndësishme dhe prioritet i Kosovës”, tha Apostollova.

Ajo tha gjithashtu se njerëzit në Kosovë nuk besojnë në institucione.

“Kosova është shtet i ri dhe çfarë është e rëndësishme është që të kemi besim në institucione dhe këtu njerëzit nuk besojnë në institucione, prandaj kanë nevojë për ndërkombëtaret”, shtoi Apostollova.

Ndërsa lidhur me iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale Apostollova ka thënë se shfuqizimi i saj nuk është mënyra e duhur e Kosovës drejt marrjes së përgjegjësive të saj si shtet i ri.

“Ne jemi miq të Kosovës, ne dëshirojmë që ndikimi ndërkombëtar të zvogëlohet e Kosova të marrë përgjegjësi për të tashmen dhe për të ardhmen. Nisma për t’i shfuqizuar Dhomat e Specializuara është nismë e gabuar dhe nuk është mënyra për ta bërë këtë. Shpresoj që politikanët ta kuptojnë këtë më herët sesa më vonë”, ka thënë Apostollova.

Ndërsa ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Nedialtço Dantçev, ka thënë se prioritetet e Presidencës së Bullgarisë janë solidariteti, siguria dhe stabiliteti

“Ne jemi miq të Kosovës, ne dëshirojmë që ndikimi ndërkombëtar të zvogëlohet e Kosova të marrë përgjegjësi për të tashmen dhe për të ardhmen. Nisma për t’i shfuqizuar Dhomat e Specializuara është nismë e gabuar dhe nuk është mënyra për ta bërë këtë. Shpresoj që politikanët ta kuptojnë këtë më herët sesa më vonë”, ka thënë Apostollova.

Ndërsa ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Nedialtço Dantçev, ka thënë se prioritetet e Presidencës së Bullgarisë janë solidariteti, siguria dhe stabiliteti.

“Bullgaria është bërë pjesë e BE-së vetëm 10 vjet më parë e sot ka mundësinë që ta ndajë përgjegjësinë me të tjerët. Prioritetet kanë qenë siguria, stabiliteti dhe solidariteti. Do të punojmë në rritjen ekonomike për një Evropë më të fuqishme. Motoja e Presidencës sonë është: Të bashkuar jemi më të fuqishëm. Për Bullgarinë e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishme. Është koha e duhur që t’ua kthejmë vëmendjen fqinjëve tanë. Tani më shumë se kurrë Evropa duhet të jetë e bashkuar”, ka thënë ai.

Dantçev ka thënë edhe se shtetet anëtare do të punojnë së bashku që të ndajnë informacione në lidhje me sigurinë e qytetarëve të Bashkimit Evropian.

“Do të përqendrohemi në tema që janë të rëndësishme për qytetarët, krijimi i vendeve të punës, përmirësimi i jetës në Evropë dhe të sigurohemi që kufijtë tanë janë të mbrojtur, si dhe garantojmë që njerëzit tanë kanë shkathtësi digjitale që kërkon ekonomia digjitale”, ka thënë Dantçev.