27 fëmijë të prekur nga fruthi

Aktuale January 23, 2018 - 23:26

Shkon në 27 numri i fëmijëve të prekur nga Fruthi. Specialistët e Institutit të Shëndetit thonë se 20 raste janë nën moshën 12 muajsh, dhe këshillojnë që të eliminohen ambientet e mbyllura.

“Deri në këtë moment që flasim kemi 27 raste në total prej të cilave 20 raste janë të moshës 12 muajsh, që do të thotë se nuk i ka ardhur akoma koha e aplikimit të dozës së parë që bëhet në moshën 12 muajsh,” tha specialistja e ISHPsë, Eugena Tomini.

“Nëse një person qëndron në një ambient të mbyllur në kontakt me persona të tjerë qëndron në të njëjtin ajër ku është personi me fruth, mund të qëndroj rreth dy orë në një ambient ku ka qëndruar për një periudhë të caktuar kohore,” shpjegoi Tomini.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik ka bërë të ditur se sëmundja e Fruthit është më e përhapur gjatë stinës së dimrit dhe pranverës, pasi virozat që qarkullojnë janë më të pranishme gjatë kësaj periudhe.

Tomini shton se Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP kanë ndërmarrë një plan masash në nivel kombëtar dhe po punojnë për vaksimin e fëmijëve, në veçanti edhe brezit të viteve ’80-’90, të cilësuar si popullata e prapambetur nga mos vaksinimi. 

“Deri në këto momente kemi pasur një ngritje të numrit të vaksinuarve që kanë qenë të prapambetur, dmth që nuk e kanë bërë në kohë, ky numër ka shkuar deri në 1000 raste që kanë qenë të prapambetura, pra 1000 raste aplikimi për vaksinim. Është shumë e rëndësishme që nënat e reja janë sensibilizuar për aplikimin e vaksinës në kohë kur kanë kaluar 15-16 muajsh, ky sensibilizim është bërë edhe nga nënat e reja,” tregoi Tomini.

Deri më tani janë vaksinuar 2100 persona në rang kombëtar, ku pjesë e vaksinimit janë bërë edhe stafi mjekësor. Sa i takon situatës gripale dhe sëmundjeve respiratore në vend specialistët e ISHP-së thonë se ajo paraqitet e qetë, krahasuar me vitet e tjera.