Pas shkarkimit, Bekim Haxhiu i kundërpërgjigjet Sami Lushtakut

Aktuale January 23, 2018 - 20:08

Kryesia e degës së PDK'së në Skenderaj, në një mbledhje të mbajtur sot, të udhëhequr nga Kryetari i degës, Sami Lushtaku, ka marrë vendim që të përjashtojë nga dega 7 anëtarë të zgjedhur në Kuvendin Komunal të Skenderajt. Dega në Skenderaj e PDK'së ka shkarkuar edhe Bekim Haxhiun, i njohur si Kamishi, nga pozita e nënkryetarit të Degës.

Nënkryetari i Degës së PDK në Skenderaj, Bekim Haxhiu, ka thënë për Gazetën Express se nuk e pranon shkarkimin që i është bërë nga kjo degë. 

Ai ka akuzuar Sami Lushtakum se këtë po e bën për qëllime të veta.

LEXO EDHE: PDK shkarkon Bekim Haxhiun dhe 7 anëtarë të tjerë në Skenderaj

“Unë nuk jam shkarkuar. Nuk mundet Sami Lushtaku me djalin e tij e me disa anëtarë të më shkarkojë", ka deklaruar Kamishi për Express.

"Vendimin për shkarkime e merr vesh Kadri Veseli. Ai i ka shpallur edhe zgjedhjet në Skenderaj. Sami Lushtaku këtë po e banë për interesa të veta", ka thënë ai. 

"Unë as që jam thirrë në këtë mbledhje qe është mbajtur në Skenderaj. Nuk janë thirrë as anëtarët e tjerë. Ky vendim është marrë na bazë të tre a katër njerëzve. Mu mundet me më sharku veç qytetari me votën e tij”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka thënë se vendimet për shkarkime të tilla kanë prapavija tjera. Thotë se këtë pozitë nuk mund t’ia marrë askush, pasi siç thotë, ai këtë e ka me votën e qytetarëve.

“ Nuk mund të ketë këso shkarkime në degë. Unë as që jam thirrur në këtë mbledhje. Qëllimet po dihet këtu. Sami Lushaku ka frikë nga njerëzit që dalin kudër tij”.

Kryesia e degës, me propozim të kryetarit Sami Lushtaku ka marrë vendim që të shfuqizojë vendimin e më hershëm për emërimin e Bekim Haxhiut nënkryetar i degës së PDK-së në Skenderaj.

Në bazë të këtij vendimi Bekim Haxhiu që nga sot nuk është nënkryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, ndërsa i njejti vazhdon të jetë anëtar i Kryesisë së degës së PDK-së në Skenderaj.

Në arsyetimin e propozimit, të votuar unanimisht, Sami Lushtaku ka thënë se  Haxhiu ka nxitur përçarje brenda PDK-së dhe nuk ka përfillur vendimet dhe qëndrimet politike të organeve legjitime të PDK-së dega në Skenderaj.