'Të rebeluarit do të habisin, do të formojnë Grup Parlamentar me kaq deputetë'

Aktuale January 23, 2018 - 19:26

Njohësi i çështje politike, Ramush Tahiri ka folur për situatën aktuale në Lëvizjen Vetëvendosje.

Tahiri në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka thënë se grupi i të dorëhequrve mund të formojë një grup parlamentar prej 13-16 deputetësh.

Ai ka thënë se tashmë është më se e dukshme që VV po ndahet në dy subjekte.

“Është çështje e brendshme e lëvizjes Vetëvendosje dhe e organizimit të saj strukturor e demokratik. Pa e marr shumë si të saktë atë që thuhet se Vetëvendosje është unike dhe ka të dorëhequr e jo ndarje, mua ma merr mendja se këta të dorëhequrit mund të formojnë një grup parlamentar prej 13-16 deputetësh dhe të kenë një ndikim të rëndësishëm në punën e Kuvendit të Kosovës por edhe në punën e Qeverisë duke i dhënë përkrahje ose jo asaj”, ka deklaruar ai, raporton Gazeta Blic.

Sipas Tahirit tani për tani kjo është situata në Vetëvendosje deri në zgjedhjet e reja parlamentare, ku do të shihet se cili grup ka më shumë votues.

“Është evidente se Lëvizja Vetëvendosje po ndahet në dy subjekte, që nuk nënkupton se po ndahet edhe elektorati i sajë.

Deri në zgjedhjet e reja parlamentare forca e grupeve mbetet kjo, ndërsa pas zgjedhjeve shihet se kush ka ma shume votues dhe si rezultat i kësaj kush ka më shumë deputetë”, është shprehur ai.

Analisti ka thënë se zgjedhjet parlamentare mund të mbahet qysh në pranverë, në qoftë se rrëzohet Qeveria Haradinaj.

“Këto zgjedhje parlamentare mund të mbahen së shpejti pra në këtë pranverë, nëse rrëzohet Qeveria Haradinaj me votëbesim në Kuvend ose pas katër vjetësh nëse njëri nga dy grupet e Vetëvendosjes i jep përkrahje gjatë votëbesimit Qeverisë Haradinaj”, ka thënë ai.

Tutje, Tahiri ka komentuar deklaratën e Kurtit i cili sot u pyet nga gazetarët për atë se pse nuk kishte një kundër- kandidatë, sipas analistit kjo temë tashmë ka përfunduar.

“Zgjedhja e kryetarit të VV përfundoi dhe tash të kota duken debatet a do të ishte më mirë sikur procesi zgjedhor të kishte dy e më tepër kandidatë dhe a do të pranohej në atë rast humbja dhe a do të ruhej uniteti dhe të pakënaqurit mos të formonin parti të re”, tha ai.

Ndryshe, Kurti u zgjodh në krye të partisë me 10 mijë e 606 vota apo 33. 83 përqind të votave.

Derisa vetëm 65 anëtarë votuan kundër Kurtit për kryetar të partisë, 60 abstenuan, ndërsa, 28 vota ishin të pavlefshme.

Në anën tjetër, kryetari i ri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në konferencën e parë të mbajtur ka thënë se nuk sheh ndarje në partinë e tij.

Image

“Nuk ka ndarje, por dorëheqje nga struktura të caktuara dhe jo dorëheqje nga anëtarësia dhe rrjedhimisht jo dorëheqje nga programi ynë që e kemi shkruar bashkë. Ne nuk jemi sekt formal unanim që do të ishim identik. Këtu lejohet mendimi ndryshe dhe diskutimi, kjo është vlerë dhe pasuri e lëvizjes”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se nuk mban inat ndaj askujt dhe nuk do hakmerret ndaj askujt.“Unë e kam vullnetin e hekurt por jo dorën e hekurt.

Duam organizatë që inkurajohet kritika dhe vetëkritika dhe jo një organizatë që do të ketë sharje e fyerje dhe jo keqpërdorim të atyre që kanë pozita më të larta”, ka thënë ai.

I pyetur lidhur me raportin me ish-sekretarin organizativ Dardan Molliqaj, i cili kishte kërkuar që Kurti të mos kandidonte për kryetar, i pari i VV-së ka thënë se “jemi deputetë të një grupi parlamentar”.

Kurti po ashtu ka thënë se kishte pasur besim të madh që do të kishte kundërkandidat për të parin e partisë, por shton se “kjo nuk ndodhi për fajin e tij”.Ai ka mohuar raportimet se në Vetëvendosje e quajnë “babë” ose “komandant”.

“Jo, sepse s’jemi në luftë, jemi në paqe dhe jam vetëm kryetar i VV-së”, ka thënë ai.

Ndërkohë, deputeti Glauk Konjufca dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti,janë përzgjedhur nga Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje për të negociuar ndërmjet dy ‘grupeve’ brenda Lëvizjes, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje për problemet dhe ndasitë që e kanë përfshirë këtë subjekt politik.