Kurti deklarohet pas marrjes së postit

Aktuale January 23, 2018 - 12:42

Kryetari i ri i zgjedhur i Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, ka mbajtur konferencë për media me ç'rast tha se, tashmë zyrtarisht është kryetar i “Vetëvendosjes” dhe se kjo e bënë kryetar të të gjithëve pa dallim.

“Para një ore Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm më ka shpallur zyrtarisht kryetar të ri të Lëvizjes “Vetëvendosje”. Unë falënderoj të gjithë votuesit e së dielës, por edhe anëtarësinë e gjerë. Do të jem kryetar i të gjithëve është nder për mua të jem kryetar i “Vetëvendosjes”. Në muajin janar janë bërë 100 vjet prej se presidenti amerikan Wilson ka shpalosur programin e “Vetëvendosjes”. Lëvizja jonë ka funksionuar në bazë të këtij koncepti. Ne duhet të jemi në nivel të detyrës për qytetarët. Ndërrimi i qeverisë është dëshirë e qytetarëve. Platforma që kam prezantuar kam marrë vërejtje dhe duhet të trajtohen hapur. Pas mendimeve e opinioneve vinë diskutimet e pastaj edhe vendimet. Unë zotohem që do të punoj për Lëvizjen dhe Kosovën sepse, kështu kam fituar besimin tuaj dhe jam i bindur se jemi më të mirët dhe më të drejtët”, deklaroi Kurti raporton “Zeri.info”.

Kurti ka mohuar të ketë ndarje në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithëve dhe s’do të përdorë dorë të hekurt ndaj askujt.

“Nuk mund të bëhem se në “Vetëvendosje”, ka ndarje. Ka disa dorëheqje të aktivistëve që janë të zëshëm dhe me përgjegjësi. Ka mospajtime, por këto nuk janë ndarje. Mbajtja e zgjedhjeve ishte obligim yni, ato u mbajtën më herët pasi kaq ishte koha që i kishe mbetur Visar Ymerit, e që e falënderoj për kontributin. Unë e kam vullnetin e hekurt e jo dorën e hekurt. Në platformën që kam prezantuar kam thënë që dua një organizatë ku ka kritika s’ka sharje e ofendime. Unë nuk jam shef as pronar sepse “Vetëvendosje”,  nuk është ndërmarrje, unë jam kryetar të shërbej dhe nuk besoj që duhet dikush të përdor dorë të hekurt ndaj kujtdo qoftë. Jam për lirinë e shprehjes, por në anën tjetër unë jap shembullin tim. Asnjë njeri që ka shkruar në “Facebook”, nuk më ka përfaqësuar mua. Unë vlerësoj që zgjidhja është pjesëmarrja aktive e jo dorëheqja. Unë nuk mbaj inat ndaj askujt as nuk hakmerrem dhe nuk do të përdori dorën e hekurt”, tha ai raporton “Zeri.info”.

Kurti ka thënë se në qershor të vitit të kaluar ka vendosur të jetë kandidat për kryetar të Lëvizjes Vetevëndosje.

Kurse për raportin e tij me deputetin Dardan Molliqaj, Kurti ka thënë se janë deputet të së njëjtës parti, kjo sipas tij është lidhja që i mban Molliqajn e Kurtin.

“Ne jemi të dy deputet në grupin e njëjtë të së njëjtës parti politike”, ka thënë ai.

“Mospajtimet në “Vetëvendosje”, zgjidhen me diskutime", tha ai.

Kurse për mundësinë e ndarjes ai ka thënë se tashmë është detyrë e Shpend Ahmetit e Glauk Konjufcës për të zgjidhur këtë çështje.

“Është detyrë e dy të zgjedhurve që të procedojnë më tutje dhe mendoj që ata duhet të flasin për hapat e mëtutjeshëm. Kam pasur shpresë që në këto zgjedhje do të kemi edhe kandidatura të tjera", deklaroi Kurti raporton “Zeri.info”

I pyetur nësë aktivistët e thërrasin “komandant” dhe “babë”, por këtë e ka mohuar Kurti. /ZËRI/