Zhbërja e Speciales në dorë të kryeministrit

Aktuale January 23, 2018 - 07:48

Kryesia e Kuvendit ia ka dërguar Qeverisë së Kosovës iniciativën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Speciales. Analistët politikë vlerësojnë se nisma për shfuqizimin e kësaj të fundit tashmë është proceduar si iniciativë ligjore, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës për më shumë se dy vjet i kanë hapur rrugë Gjykatës Speciale, mirëpo muajin e kaluar 43 ligjvënës mblodhën nënshkrimet për ta zhbërë të njëjtën.

Ata kërkuan seancë të jashtëzakonshme për Specialen qysh atë ditë kur mblodhën nënshkrimet e tyre (më 22 dhjetor), mirëpo një gjë e tillë nuk u arrit meqë Kryesia dështoi dy herë (në mungesë të kuorumit) për ta mbajtur mbledhjen për të proceduar më tutje.

Njëjtë ndodhi edhe më 17 janar të këtij viti. Por jo edhe dje, shkruan tutje "Zëri".

Përkundrazi, situata rrodhi krejt ndryshe gjatë takimit të së hënës. Kryesia e Kuvendit mori vendim në mbledhjen e mbajtur dje që t’ia përcjellë Qeverisë së Kosovës iniciativën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ani pse në natën e 22 dhjetorit tentohej që kjo nismë të procedohej para deputetëve për votim.

Në momentin kur po fillonte diskutimi mbi këtë pikë LDK-ja lëshoi mbledhjen në shenjë mospajtimi me atë që po veprohej. Ndërkohë,  njohësit e rrethanave politike konsiderojnë se me veprimet e ndërmarra dje ende nuk mund të thuhet që ka kaluar rreziku për ta zhbërë Gjykatën Speciale.

Nga ana tjetër, përderisa Qeveria nuk ka dhënë detaje se si do të veprojë me këtë nismë, deputetët që kanë nënshkruar atë një vendim të tillë të Kryesisë e cilësojnë si humbje kohe.

Qeveria ende nuk e di si do të veprojë me Specialen

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli pas mbledhjes së djeshme tha se vendimin sa i përket dërgimit të iniciativës për shfuqizimin e Speciales në Qeveri e ka marrë duke u bazuar në rregullore.

“Kemi vepruar në bazë të rregullores, gjithçka që është bërë është bërë në procedim në bazë të rregullores së Kuvendit. Iniciativa e 43 deputetëve për shfuqizim të Gjykatës Speciale i është dërguar për mendim Qeverisë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj, nuk ka dhënë detaje se si do të veprojë me këtë çështje.

“Kjo procedurë është praktikë që duhet ndjekur. Ne ende nuk e kemi marrë zyrtarisht shkresën. Nuk e di si do të veprojmë sepse ende s’e kemi”, ka theksuar Haradinaj.

Hoti: LDK-ja kundër shfuqizimit

Pasi LDK-ja lëshoi mbledhjen e djeshme të Kryesisë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se një vendim të tillë LDK-ja e mori në harmoni me qëndrimin e saj si parti.

“Normalisht në pjesën ku diskutohet për Ligjin për Shfuqizimin e Dhomave të Specializuara ne e lëshuam mbledhjen e Kuvendit në përputhje me qëndrimin që ka grupi ynë parlamentar dhe LDK-ja për këtë çështje, duke qenë se i vunë në pikëpyetje të gjitha marrëdhëniet që deri tash shteti i Kosovës ka krijuar me shtetet e botës. LDK-ja është kundër kësaj iniciative”, nënvizoi Hoti.

Ndërkaq duke folur rreth zhvillimeve të djeshme, shefi i Grupit Parlamentar të lëvizjes

“Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, tha se Kryesia vendosi për avancim të nismës për shfuqizimin e Speciales. “Pra, kemi një avancim të kësaj nisme. Kjo do të t’i shkojë Qeverisë së Kosovës, tash topi është në dorën e Qeverisë së Republikës së Kosovës se çka mendon për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara”, deklaroi Konjufca.

Haxhiu: Dërgimi i iniciativës në Qeveri, humbje kohe

Mirëpo vendimi i Kryesisë për ta bartur nismën e deputetëve nga Kryesia në Qeveri nuk u prit mirë nga këta të fundit.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu (njëra prej 43 deputetëve që nënshkruan për shfuqizimin e Speciales), dërgimin e iniciativës në Qeveri e ka cilësuar si humbje kohe.  

“Kryesia është organi që ka vendosur, ne nuk i diskutojmë vendimet e tyre, sado që po të pyetem unë ajo ishte dashur të vinte në Kuvend, të shqyrtohej aty. Për mua është humbje kohe”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Sipas Haxhiut, kjo çështje duhet të marrë epilog, në mënyrë që, siç ajo është shprehur, të mos mbesin peng as qytetarët, as deputetët.

Krasniqi: Qeveria ka 30 ditë afat të deklarohet

Nga ana tjetër Albert Krasniqi, hulumtues i lartë në KDI, ka bërë të ditur për “Zërin” se Qeveria e Kosovës tashmë ka 30 ditë afat të deklarohet rreth kësaj çështjeje. Pastaj, sipas tij, kjo iniciativë vjen në Kuvend te Kryesia për shqyrtim e tek pastaj dërgohet për t’u votuar.

“Mandej dërgohet në seancë plenare për votim. Në seancë kërkohen votat e shumicës së deputetëve, të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë për ta shfuqizuar. Nëse votohet, atëherë shfuqizohet dhe mandej deputetët brenda 8 ditëve duhet ta konfirmojnë në Gjykatën Kushtetuese vendimin që ka marrë Kuvendi”, ka theksuar ai.

Krasniqi më tej ka thënë se nisma për shfuqizimin e Speciales ka bërë hapa të tjerë tashmë, duke u proceduar si iniciativë ligjore.

“Jo që është ekzsitente nisma, por nisma ka bërë hapa të mëtejmë. Çka nuk është valide është thirrja e një seance të jashtëzakonshme, por atë natë kanë qenë dy iniciativa: e para për të thirrur seancë të jashtëzakonshme, e dyta për ta shfuqizuar ligjin. Seanca e jashtëzakonshme ka rënë, konsiderohet e dështuar, mirëpo është proceduar si iniciativë ligjore e deputetëve”, ka shtuar ai gjatë një bisede për “Zërin”.   

Baraliu: Nuk ka kaluar rreziku i zhbërjes

Kurse njohësi i çështjeve juridike dhe politike Mazllum Baraliu ka vlerësuar se vendimi i Kryesisë së Kuvendit për t’ia përcjellë Qeverisë iniciativën për zhbërjen e Gjykatës Speciale është gjuajte e përgjegjësisë te dikush tjetër.

Megjithatë, ai ka thënë se proceduralisht një gjë e tillë ka mundur të procedohet edhe në Parlament.

“Kanë mundur edhe ta procedojnë proceduralisht në Kuvend, por nuk është parimore sa duhet sjellja e disa eksponentëve që thonë se kanë hequr dorë nga iniciativa, nga ana tjetër të bëjnë veprime 100 për qind të tjera, që shkaktojnë huti dhe mosbesim”, është shprehur ai.

Duke komentuar zhvillimet e djeshme, Baraliu ka konsideruar se rreziku për zhbërjen e Speciales nuk ka kaluar.

“Sigurisht që nuk ka kaluar rreziku. Përkundrazi, këmbëngulësia ekziston vetëm se në mënyrë më të butë, por tashmë vetëm hidhet topi i përgjegjësisë te dikush tjetër kinse për t’i respektuar procedurat”, ka theksuar ai.