Hoti: Koalicioni qeverisës dëshiron të ikë nga drejtësia ndërkombëtare

Aktuale January 22, 2018 - 23:00

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti mendon se Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj duhet ndalur, ndryshe, sipas tij, do të rrënojë shtetin.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti mendon se koalicioni i cili po qeverisë me vendin duhet ndalur para se siç thotë ai, ta rrënojë shtetin.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Hoti ka paralajmëruar për pasojat, të cilat sipas tij, mund t’i ketë vendi, nëse një qeverisje e tillë do të vazhdojë.

Në radhë të parë sipas Hotit, Kosova rrezikohet nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

“Ky koalicion qeverisës do ta rrënojnë shtetin nëse nuk ndalet”, shkruan Hoti në Facebook.

“Dëshiron të ikë nga drejtësia ndërkombëtare duke shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”, shkruan Hoti duke iu referuar të këqijave nga të cilat sipas tij, vendi po rrezikohet nga qeverisja aktuale.

“Dëshiron te ikë nga drejtësia vendore duke nxjerrë ligj për të amnistuar deputetët që kanë kryer vepra penale”, shkruan tutje ai.

Projektligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale,  është propozuar nga 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës më 22 dhjetor të vitit të kaluar.

Bashkësia ndërkombëtare e ka paralajmëruar Kosovën për pasoja të mëdha nëse do të shfuqizohej Gjykata Speciale.