Pantina: Kam dëgjuar aktivistë ta quajnë Kurtin ‘Babë’ e ‘Komandant’

Aktuale January 22, 2018 - 20:58

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, e cila javë ma parë dha dorëheqje nga pozitat e saj në këtë subjekt politik, thotë se i ka dëgjuar aktivistë të kësaj partie që ta quajnë Albin Kurtin ‘babë’ dhe ‘komandant’.

Shqipe Pantina edhe pse nuk ka votuar në zgjedhjet e djeshme, e ka uruar Albin Kurtin për postin e kryetarit, ndonëse këtë nuk ia ka thënë personalisht.

Thotë se i ka dëgjuar aktivistët e Vetëvendosjes duke e thirrur Albin Kurtin “babë” e “komandant”.

“Po, unë i kam dëgjuar aktivistë ta thërrasin ‘baba’. Kohëve të fundit ta thërrasin ‘komandanti’ dhe për mua të dyjat janë problem sepse në parti politike mund të ketë kryetar, menaxher, sekretar çkado qoftë por babë ka vetëm në familje e komandant ka në ushtri’, tha Pantina për Kallxo.com.

Duke folur për problemet që e shtynë deri në dorëheqje, ajo thotë se kanë filluar në maj të vitit të kaluar, kur ka kuptuar për një mosmarrëveshje ideologjike ndërmjet Kurtit e Molliqajt e që sipas saj më vonë u transformua edhe në mosmarrëveshje personale ndërmjet këtyre dy figurave të rëndësishme në Vetëvendosje. 

Pantina tregon se Dardan Molliqaj kishte kërkuar që të ketë një kryetar konsensual në Vetëvendosje, ku konsensuali nuk do të ishte as Kurti, as Ymeri e as ai, por dikush tjetër, e pastaj të ketë një garë ku secili të mund të kandidonte.

Ajo nuk beson se Vetëvendosje mund t’i kthehet normalitetit, ani pse Glauk Konjfuca dhe Shpend Ahmeti kanë marrë përsipër për t’i ‘pajtuar’ palët në konflikt.

Në zgjedhjet e djeshme Kurti u zgjodh kryetar i Vetëvendosjes me 98.82%.