Suedia e dëbon kosovaren me dy fëmijë - Deputeti i del në mbrojtje

Aktuale January 22, 2018 - 19:19

Këtë fundjavë, është shuar përfundimisht shpresa për kosovaren Vlora Syla dhe dy fëmijët e saj rreth qëndrimit të tyre në Suedi.

Gjykata Supreme e Migracionit në Suedi ka vendosur që familja e Vlora Sylës të kthehet në Kosovë pas tetë vitesh qëndrim në Suedi. Por, pas vendimit të sotëm të Gjykatës Supreme të Migracionit, tani ajo ka marrë mbështetje nga një emër i njohur politik në Suedi. 

Vlora Syla dhe dy fëmijët e saj kanë jetuar në qytetin Åtvidaberg për tetë vjet me radhë.

Ajo ka pasur një punë që nga viti 2015 në këtë qytet, ndërsa fëmijët e saj ndjekin shkollën, flasin rrjedhshëm suedisht dhe kanë krijuar shoqëri në Suedi. Por, tani ata duhet të largohen nga vendi.

“Është vërtet e vështirë të largohesh tani. Kemi qenë këtu për tetë vjet dhe kemi luftuar shumë. Dhe fëmijët po e shijojnë shkollën. Është shumë e vështirë për fëmijët. Ata nuk do të jenë në gjendje të fillojnë shkollën në Kosovë. Kjo mund t’ua shkatërrojë gjithë jetën fëmijëve”, thotë Vlora Syla për mediumin suedez SVT.Image

Pas vendimit për dëbimin e kosovares dhe fëmijeve të saj – 10 dhe 12 vjeçarë – ka reaguar deputeti i Parlamentit të Suedisë, Find Bengtsson.

Ai ka thënë se Vlora Syla i plotëson kushtet për qëndrim në Suedi.

“Ajo punon dhe ka një leje pune, ndërsa fëmijët e saj janë në shkollë suedeze. Ajo i plotëson parimet që ne i kemi këtu”, tha Find Bengtsson, transmeton Insajderi.

Por, sipas asaj që shkruajnë mediet suedeze, familja kosovare pritet që brenda ditësh të dëbohet për në Kosovë.