Aktuale

Pantina tregon se kur filloi thyerja në mes Molliqajt dhe Kurtit

Pantina tregon se kur filloi thyerja në mes Molliqajt dhe Kurtit
22 janar 2018 • 18 : 52

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Shqipe Pantina, ka theksuar se ajo ende është deputete e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e grupit parlamentar të këtij subjekti.

Pantina ka sqaruar momentin se kur ka filluar sipas saj, thyerja në mes deputetëve të VV-së, Dardan Molliqaj dhe Albin Kurti.

“Në njërën nga mbledhjet, Molliqaj ka thënë se organizata nuk është në një pozitë të mirë dhe se janë bërë shumë gabime gjatë rrugës. Ai e ka marrë përgjegjësinë përsipër, duke theksuar se ai është njëri nga fajtorët, duke shtuar se asgjë nuk ka bërë pa u koordinuar me Visarin dhe Albin Kurtin. Kështu ai kishte kërkuar që asnjëri nga këta të tretë të mos kandidoj për kryetar, në mënyrë që të hapet rruga një personi të tretë”, ka thënë ajo.

Pantina më tutje ka theksuar se Kurti vetë e ka pranuar, sipas saj, që vendimin për të kandiduar si kryetar i VV-së, e ka marrë gjatë kohës që ka qenë në burg, dhe kjo sipas tij, kishte ardhur në momentin që kishte dëgjuar një intervistë të ish- kryetarit, Visar Ymeri.

“Unë nuk e kuptoj ngutinë pse duhet të caktohet data e zgjedhjeve të brendshme. Kurti në mbledhjen e fundit nuk ka dashur as të diskutojë për tërheqjen e tij nga kandidatura. Ka qenë i gatshëm të diskutojë për gjithçka tjetër, vetëm nuk ka pranuar të diskutohet për tërheqjen e kandidaturës së tij”, ka theksuar ajo. 

Pantina ka thënë se është befasuar nga platforma që e ka prezantuar Kurti para aktivistëve si kryetar i ri i Lëvizjes, duke shtuar se kryetari i ri më tepër e ka paraqitur rolin e VV-së dhe organizimin e saj si një Organizatë Joqeveritare (OJQ), se sa si një parti politike.

“Fliste për aktivistin dhe për krijimin e disa qendrave të vullnetarëve. Mos të harrojmë se VV-ja para zgjedhjeve nacionale, është regjistruar si parti politike, dhe një parti politike duhet ta ketë marrjen e pushtetit. Në platformën e Kurtit ai fliste për disa qendra, nëpër të cilat do të ushqeheshin të varfrit, për trajnimin e aktivistëve nëpër shkolla politike njëvjeçare ose dy vjeçare. Nuk e pashë të fliste për shtetin ligjor, shtetin e së drejtës, se pse një parti synon ta marrë pushtetin”, ka theksuar ajo. /Telegrafi/

© zëri.info