Kurti zyrtarizohet si ''Babë'', të pakënaqurit e bojkotojnë

Aktuale January 22, 2018 - 08:18

Albin Kurti ka votuar dje për zgjedhjen e kryetarit të lëvizjes “Vetëvendosje”, në të cilën garë ai është kandidati i vetëm. Këtë javë ai pritet të konfirmohet në krye të lëvizjes “Vetëvendosje” për një mandat të ri, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kurti ka votuar në qendrën e votimit në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë, aty ku, siç ka treguar, i ka kryer 8 klasat e shkollës fillore.

“Tetë klasat e shkollës fillore i kam mbaruar pikërisht këtu, në shkollën ‘Naim Frashëri’, në të cilën sot erdha për të votuar në zgjedhjet e lira e demokratike të lëvizjes ‘Vetëvendosje’, të cilat, në njërën anë janë obligim yni statutor dhe në anën tjetër paraqesin demokraci të thellë për shkak se në ‘Vetëvendosje’ kryetari zgjidhet me mënyrën: një anëtar – një votë”, ka thënë Kurti.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të LVV-së që të votojnë në këto votime.

 “Lëvizja ‘Vetëvendosje’ është jo vetëm subjekti më politik, më social, më patriotik, por është njëkohësisht edhe subjekti më demokratik në Republikën e Kosovës”, ka shtuar Kurti.

LEXO EDHE: PDK-ja bllokoi mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Drenasit

Vendvotimet janë hapur nga ora 10:00 dhe janë mbyllur në orën 19:00 të së dielës. Me përfundimin e numërimit të votave Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm do të bëjë shpalljen e rezultateve paraprake për votat “për”, “kundër” dhe “abstenim”.

Megjithatë, garën për kryetar të lëvizjes “Vetëvendosje” e kanë bojkotuar të pakënaqurit e këtij subjekti politik.

Gazeta Zëri ka mësuar se për ta zgjedhur kreun e LVV-së nuk kanë votuar dje ish-kryetari Visar Ymeri, ish-sekretari Dardan Molliqaj, kreu i Kamenicës Qëndron Kastrati, ish-nënkryetari i partisë Dardan Sejdiu, etj.

Grupi anti-Kurti bojkotoi zgjedhjet

Thirrjes së Kurtit për të marrë pjesë në votime nuk i janë përgjigjur të dorëhequrit nga strukturat partiake, por që ende janë deputetë të Lëvizjes si: Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Driton Çaushi, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Aida Dërguti, Donika Kadaj-Bujupi, etj.

Këtë e kanë konfirmuar burime të gazetës “Zëri” brenda lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët kanë pohuar se anëtarët e dorëhequr nuk kanë marrë pjesë në votim ditën e djeshme. 

“Nuk e di nëse kanë votuar apo jo. Nuk mund të them asgjë, mirëpo po besoj që nuk kanë marrë pjesë e as nuk kanë votuar”, ka thënë ky burim brenda “Vetëvendosjes”.

Analistët: Kurti kryetar, të pakënaqurit me parti të re

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Zërin” se nga dita e hënë do të merret vesh nëse Albin Kurti si kryetar i ardhshëm i kësaj partie do të bëjë përpjekje për ta bashkuar partinë, meqë deri më tani nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim.

“Ajo që tanimë dihet sigurt është se z. Albin Kurti do të jetë përsëri lideri i LVV-së. Nga e hëna z. Kurti do të jetë në krye të Lëvizjes dhe mbetet të shihet nëse do të ndërmarrë masa konkrete për të tentuar ta bashkojë partinë. Deri më tani nuk është se ka pasur shumë veprime pozitive në këtë drejtim dhe disa veprime të ndërmarra vetëm sa kanë acaruar edhe më shumë të pakënaqurit në LVV”, ka thënë ai.

Murati nuk ka përjashtuar mundësinë e krijimit të partisë së re nga ana e të pakënaqurve.

“Krijimi i një partie të re nuk mund të përjashtohet, meqenëse nuk po shihen shenja të përafrimit mes dy taborëve të krijuara në LVV. Me gjasë mund të ketë një lëvizje të re politike, mirëpo së pari duhet të pritet se cili do të jetë epilogu i gjithë dramës në LVV, ku përfshihen zgjedhjet e brendshme, lidershipi i ri dhe dorëheqjet e disa prej figurave kryesore të partisë”, tha Murati.

Kurse Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike, konsideron që zgjedhjet në “Vetëvendosje” po zhvillohen në një kohë të pafavorshme për partinë. Ai tha se në opinion “Vetëvendosja” është zbehur pas përçarjeve të fundit.

“Zgjedhjet për kryetar të ‘Vetëvendosjes’ po zhvillohen në rrethana të pafavorshme për partinë. Më mirë do të ishte sikur ato të shtyheshin për një kohë, për t'i lenë kohë gjetjes së ndonjë zgjidhjeje. Largimet e figurave shumë të rëndësishme dhe vërejtjet e tyre mund të mos jenë shqetësuese për krahun e Albin Kurtit, por në sytë e opinionit të gjerë publik ato e kanë zbehur peshën e procesit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Albin Kurti është dashur t’i evitojë këto përçarje, por meqë nuk e ka bërë, Maliqi tha se Kurti dëshiron që secili në parti të ndjekë linjën e tij.

“Si figura më e fuqishme brenda partisë, i takonte Albin Kurtit që të bënte më shumë për t'i evituar çarjet të cilat me gjasë do ta kthejnë LVV-në në parti të tretë. Mesazhi të cilin e përçon Albini me këtë proces të zgjedhjes është se kushdo që prej tash e tutje afrohet në LVV duhet patjetër të ndjekë linjën e tij. Kjo nuk është formulë për rritje”, tha ai.

Ndonëse po mohohet vazhdimisht nga anëtarë të “Vetëvendosjes”, Maliqi thotë se një parti e re do të formohet nga të dorëhequrit e tanishëm.

Edhe Krenar Shala, njohës i çështjeve politike, ka thënë se mosmarrëveshjet e fundit brenda lëvizjes “Vetëvendosje” do të çojnë deri te formimi i një partie të re, por tha se kjo ende nuk është plotësisht e sigurt meqë “Vetëvendosja” po mundohet ta shmangë një gjë të tillë.

“Nga kjo përçarje gjasat janë të mëdha që të krijohet një grupim tjetër politik, megjithatë duhet të presim edhe pak sepse Kryesia e LVV-së i ka emëruar dy emisarë që kanë shprehur opinione neutrale karshi përçarjeve dhe se puna e këtyre dy emisarëve është përgatitja e një platforme me të cilën do të evitohej përçarja dhe kështu do të arrihej një lloj konsensusi për të vazhduar së bashku rrugëtimin politik”,  ka thënë ai.