PDK-ja bllokoi mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Drenasit

Aktuale January 22, 2018 - 08:10

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe asamblistët e PDK-së që përbëjnë shumicën në Kuvendin Komunal nuk kanë lejuar të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit sipas rendit të ditës, e përcaktuar me urdhëresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Këshilltarët nga PDK-ja në Kuvendin e Drenasit nuk kanë lejuar që të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit, e cila ishte ftuar pas rekomandimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe e cila kishte konstatuar shkelje të ligjit gjatë formimit të komiteteve të obligueshme të Kuvendit.

Madje këshilltarët komunalë të Drenasit në ftesën që kishin marrë nga kryesuesi Labinot Halilaj, rendi i ditës ishte përcaktuar saktësisht sipas rekomandimit të MAPL-së, “Mosrespektimi i akteve juridike në Komunën e Drenasit”, por ky rend dite është mbivotuar nga këshilltarët shumicë në Kuvendin e Drenasit.

LEXO EDHE: Corteville: Ambasada e SHBA-së po diskuton për masat ndaj liderëve nëse vendosin për shfuqizimin e Speciales

Opozita në Kuvendin e Drenasit në momentin kur janë mbivotuar ka lëshuar sallën, ndërkohë që medieve u është drejtuar asamblisti i “Vizionit për Drenasin” Xhavit Drenori, i autorizuar nga opozita për të dhënë deklaratë për medie, shkruan tutje "Zëri".

“Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me asamblistë të PDK-së e bllokuan mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të debatohej rreth shkeljeve ligjore në këtë Komunë. Me iniciativë të asamblistëve të ‘Vetëvendosjes’ dhe të përkrahur edhe nga asamblistë të partive tjera, për datë 19 janar kishim ftuar mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Drenasit me pikën e vetme të rendit të ditës: ‘Mosrespektimi i akteve juridike në Komunën e Drenasit’. Me moslejimin e mbajtjes së mbledhjes, duke e mbivotuar rendin e ditës, kryetari Lladrovci dhe partia në pushtet edhe një herë po tregojnë se nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me faktet që flasin për shkelje flagrante të ligjit që ndodhin në qeverisjen lokale në Drenas”, ka thënë Drenori.

Sipas tij, ndër të tjera në këtë mbledhje do të diskutohej vendimi i kundërligjshëm i Kuvendit, i shkaktuar nga kryesuesi i Kuvendit.

“Ne konsiderojmë që Komuna e Drenasit, respektivisht qeverisja lokale e udhëhequr nga kryetari Lladrovci po rrëshqet në një qeveri autoritare dhe aspak e përgjegjshme e llogaridhënëse. Ne do të provojmë prapë në javën e ardhme të thërrasim një seancë tjetër të jashtëzakonshme dhe kërkojmë nga MAPL-ja dhe institucionet tjera relevante të kthejnë sytë nga komuna jonë, në të cilën po ‘mbytet’ zëri ndryshe”, ka thënë Drenori, i autorizuar për deklaratë.

Ka reaguar edhe Nisma në Drenas, e cila ka vlerësuar se PDK-ja ka dëmtuar demokracinë në Drenas.

“PDK-ja e dëmtoi demokracinë në Drenas duke pamundësuar vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme nëpërmjet votimit. Të premten ishte paraparë të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Drenasit e ftuar nga opozita e vërtet ku për thirrjen e kësaj seance kanë nënshkruar edhe asamblistët tanë nga Nisma për Kosovën. E potencuam me lart, opozita e vërtetoi sepse disa asamblistë u thirrën si të pavarur gjatë periudhës së zgjedhjeve madje edhe u thirrën se gjoja janë opozitë, por përfunduan nën kraharorin e pushtetit aktual të PDK-së ku përfundimisht e demaskuan fytyrën e tyre të vërtetë”, thuhet në një komunikatë të Nismës në Drenas.

Me gjithë përpjekjet “Zëri” nuk ka arritur të kontaktojë as me kryetarin e Lladrovci e as me kryesuesin e Kuvendit të Drenasit, Labinot Halilaj, të dielën.