Reagimi i Haradinajt kur pyetet nëse ka frikë nga Gjykata Speciale

Aktuale January 21, 2018 - 21:22

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ka përvojë me gjykime, kur është pyetur sot nëse ka frikë se mund të ndodhet në listën e të akuzuarve të Gjykatës Speciale.

Në një intervistë me televizionin kombëtar të Kroacisë – HRT, kryeministri i Kosovës deklaroi se “nuk e ka dert” shkuarjen në Gjykatën Speciale, nëse ndodhet në listën e të akuzuarve.

Gjatë intervistës për televizionin kroat, Haradinaj iu përgjigj të gjitha pyetjeve në gjuhën angleze, përveç njërës. Kryeministri ndërroi gjuhë, kur iu përgjigj pyetjes për Gjykatën Speciale.

“Keni frikë se edhe ju do të mund të ndodheshit në listën e të akuzuarve?”, e pyet gazetari i televizionit kroat, kryeministrin Haradinaj.

Haradinaj iu përgjigj fillimisht në gjuhën serbo-kroate. “Kam përvojë”, ka thënë fillimisht Haradinaj, para se t’i pë[rgjigjej pyetjes edhe në gjuhën shqipe.

“Kam përvojë, nuk e kam ashtu dert”, deklaroi Haradinaj për televizionin kroat HRT, transmeton Insajderi.

Po ashtu, Haradinaj deklaroi se shqiptarët e Kosovës janë provuar me gjykime dhe dënime në periudha të ndryshme. Shefi i ekzekutivit kosovar përmendi kohën kur, sipas tij, “gjysmë milion kosovarë kanë qenë nënpër burgje të Jugosllavisë”.

“Shqiptarët nuk e kanë së pari herë këtë [Gjykatën Speciale, v.j]. Në Jugosllavi kemi qenë një gjysmë milioni nëpër burgje. UNMIK-u ka ardhur më pas dhe por ashtu na ka shti burgjeve. Edhe EULEX-i së fundmi. Por, Kosova i kalon këto pengesa, sepse është liria jonë, e drejta jonë dhe lufta jonë. Lufta jonë ka qenë e pastër për liri”, ka deklaruar Haradinaj.

Në këtë intervistë Haradinaj foli edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviq, dhe vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që e realizoi dje në Kosovë.