Vuçiq e kaloi natën në Kosovë

Aktuale January 21, 2018 - 17:31

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq erdhi dje në Kosovë pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Ai fillimisht kishte planifikuar në agjendën e tij që të qëndronte në Kosovë për dy ditë, të shtunën e të dielën, por në fund i kishte përfunduar takimet që ditën e parë.

Edhe pse i kishte përfunduar takimet qysh dje, Vuçiq nuk ishte kthyer menjëherë në Beograd.

LEXO EDHE: Vulin: Vizita e Vuçiqit dëshmoi se Serbia nuk heq dorë nga Kosova

KALLXO.com merr vesh që ai e ka kaluar natën në Kosovë.

Zyrtarja për media e presidencës serbe Suzana Vasileviq i ka thënë KALLXO.com se presidenti serb, Aleksander Vuçiq, është nisur sot në mëngjes për në Beograd.

“E kemi përfunduar vizitën shumë herët në mëngjes e tash jemi kthyer në Beograd”, tha Vasileviq sot për KALLXO.com.

Gjatë vizitës së djeshme ai u takua me serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut, pastaj bëri homazhe tek vendi ku u vra Oliver Ivanoviq, ku prej aty mori rrugën për në Graçanicë dhe përfundoi agjendën e tij në fshatin Llapnasellë.

KALLXO.com nuk ka arritur të konfirmojë se për çfarë arsye Vuçiq e ka kaluar natën në Kosovë ose me kë është takuar gjatë kësaj kohe.

Presidenti i Serbisë gjatë ditës së djeshme zhvilloi shumë takime, ku kaloi nga veriu në jug dhe dha shumë mesazhe.