Paralajmërohet projektligji që rrëzon vendimin e Haradinajt për rritje të pagave

Aktuale January 21, 2018 - 16:08

Vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave për vartësit e tij mund të jetë i vlefshëm vetëm deri në qershor të këtij viti.

E gjithë kjo ngase në muajin qershor Ministria e Administratës Publike planifikon që të hartojë një koncept dokument të ligjit për nivelizimin e pagave. 

Ky projektligj sipas zyrtarëve të MAP’së është kërkesë e Komisionit Evropian për nivelizimin e pagave për sektorin publik.

Ministri i MAP-së, Mahir Yahgcilar dhe përfaqësues të Institutit GAP pohojnë se projektligji që është kërkesë e Komisionit Evropian për nivelizimin e pagave në sektorin publik do ta shfuqizojë vendimin e kryeministrit për rritjen e pagës së tij nga 1.500 në 2.950 euro.

Yagcilar për KP, ka thënë se do të jetë për herë të parë një ligj i cili rregullon të gjitha pozitat sa i përket pagave për të gjithë sektorët.  Sipas tij, paga më e lartë do të jetë ajo për Presidentin e shtetit, dhe paga më e ulët do të jetë 232 euro.

“Do të rregullohet edhe raporti midis pagës minimale dhe pagës maksimale në Republikën e Kosovës, duke filluar prej pozitës më të ulët deri te pozita më lartë, pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Në ligj do të bëhet rregullimi i raporteve, duke filluar prej koficionetit numër 1 e deri 10 ose 12, pastaj do të bëhen kalkulimet dhe renditja e të gjitha pozitave të cilat ekzistojnë në fusha të ndryshme”, ka thënë Yagcilar.

Ndërsa, për krijimin e ligjit të pagave në sektorin publik, është edhe një kërkesë për reforma në administratën publik nga Komisioni Evropian.