MI: Rrugët nacionale të kalueshme

Aktuale January 20, 2018 - 18:26

Bora e dendur që po bie në vendin tonë, ka bërë që në rrugët nacionale dhe rajonale të vështirësohet qarkullimi, por falë intervenimeve të kompanive mirëmbajtëse, rrugët janë të kalueshme, kurse kërkohet nga të gjithë ngasësit të kenë kujdes gjatë ngasjes dhe t’i kenë me vete pajisjet dimërore.

Kështu thuhet në informatën e Ministrisë së Infrastrukturës (MI), sipas së cilës, si pasojë e reshjeve atmosferike, në  rrugën Nacionale 25/3 në mes Llabjanit dhe Parallovës, në kthesat tek gurthyesi ka ndodhur një rrokullisje e një cisterne të derivateve të naftës, sot rreth orës 13.40, e cila ka bllokuar rrugën në udhëkryq dhe nga nafta e derdhur është pamundësuar qarkullimi dhe kishte rrezik për rrëshqitje nga nafta e derdhur në rrugë.

“Kjo rrugë ka mbetur e bllokuar diku rreth dy orë, mirëpo falë reagimit të mënjëhershëm të Policisë së Kosovës, ekipeve emergjente të Gjilanit dhe Novobërdës dhe zjarrëfikësve, por edhe reagimit të shpejtë të kompanisë mirëmbajtëse, e cila ka mënjanuar mjetin e rrokullisur dhe ka pastruar tërë rrugën nga nafta e derdhur, tashmë kjo rrugë është liruar dhe qarkullimi po bëhet normalisht”, thuhet në njoftim.

“Kompania mirëmbajtëse ka hedhur kripë dhe rërë në tërë segmentin e kësaj rruge, e në veçanti në pjesën ku ka ndodhur aksidenti, ku edhe do të kujdestarohet edhe gjatë tërë natës që të evitohet mundësia e krijimit të nfgricave në këtë pjesë”.

MI thotë se gjendje pak më e vështirë është në Brezovicë, ngase ka një fluks të shtuar të pjesëmarrësve në trafik, mirëpo është kërkuar ndihma e Policisë së Kosovës për ta drejtuar trafikun, në mënyrë që kompanitë të kenë qasje për të vepruar në tërë segmentin e rrugës.

Ministria e Infrastrukturës poashtu njofton se në të gjitha rrugët tjera edhe përkundër borës së dendur dhe trafikut të ngarkuar, kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve po bëjnë çdo gjë që është e nevojshme, në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme.

Deri më tani intervenime ka patur në të gjitha rrugët e vendit, duke u hedhur kripë dhe rërë atyre, në mënyrë që të garantohet lëvizje e lirë dhe qarkullim i sigurtë.

Ministria e Infrastrukturës u bënë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafikun rrugor që të lëvizin me kujdes dhe të kenë me vete pajisjet dimërore.