Policia reagon ndaj shkrimeve të mediave serbe e ruse: S’ka të arrestuar në Llapnasellë

Aktuale January 20, 2018 - 14:50

Policia e Kosovës ka reaguar në lidhje me disa shkrime që po qarkollojnë në mediat serbe dhe ruse se janë arresuar disa shqiptarë në Llapnasellë.

Këto arrestime mediat në fjalë i ndërlidhin me vizitën e presidentit serb në Kosovë, Aleksandar Vuçiq. Mirëpo Policia e Kosovës thotë se deri më tani çdo gjë ka shkuar mirë dhe se nuk ka të arrestuar.

LEXO EDHE: Media ruse dhe serbe japin lajme të rrejshme për arrestime në Kosovë

“Rreth 13.05 min, njësia në lëvizje e cila ka qenë në para përcjellje të përfaqësuesve nga delegacioni i Serbisë, i cili ka qenë duke shkuar në drejtim të Graçanicës, saktësisht në dalje të autostradës në Veternik, kanë ndaluar një veturë civile e cila ka penguar qarkullimin e automjeteve zyrtare”, thuhet në reagimin e policisë.

Reagimi i plotë i PK-së:

Policia e Kosovës (PK), e adreson këtë informacion zyrtar për media me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, lidhur me disa shkrime të publikuar sot në disa media/portale kryesisht serbe, ku shkruhet se në Llapna Sellë janë shoqëruar (ndaluar) shqiptar të cilëve iu janë marrë (gjetur) armë, dhe lidhur me këtë sqaron me sa vijon:

Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepron konform autorizimeve ligjore që ka, ashtu siç ka vepruar edhe në rastin e ndalimit të një automjeti civil i cili ka penguar qarkullimin e delegacionit.

Rreth 13.05 min, njësia në lëvizje e cila ka qenë në para përcjellje të përfaqësuesve nga delegacioni i Serbisë, i cili ka qenë duke shkuar në drejtim të Graçanicës, saktësisht në dalje të autostradës në Veternik, kanë ndaluar një veturë civile e cila ka penguar qarkullimin e automjeteve zyrtare.

Vozitësi i automjetit është ndaluar nga zyrtarët policor, përderisa automjetet zyrtare me delegacionin e përfaqësuesve nga Serbia kanë vazhduar sipas agjendës pa incidente dhe nuk bëhet fjalë për gjetje të ndonjë arme.

Vlen të potencohet se nuk ka qenë eskorta e presidentit të Serbisë pasi që e njëjta deri në këtë kohë gjendet në rajonin e Mitrovicës Veri.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale me qëllim të ofrimit të sigurisë ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe njoftimit të drejtë të opinionit publik.