Policia deklarohet për gjendjen e sigurisë në Mitrovicë pas vizitës së Vuçiqit

Aktuale January 20, 2018 - 12:26

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës veriore, Besim Hoti ka thënë për Express se gjendja aktuale është e qetë dhe deri tani nuk ka pasur ndonjë incident, gjatë qëndrimit të presidentit serb në Kosovë

Aleksandar Vuçiq, po zhvillon vizitën e tij të shtatë për këto pesë vitet e fundit në Kosovë, ku para një ore ishte në manastirin e Banjskës. Tani, ai do të shkojë në Mitrovicën veriore të bëjë homazhe në vendin ku u vra politikani serb, Oliver Ivanoviq, gjatë kësaj jave.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti ka thënë për Express se gjendja e sigurisë është e qetë dhe se nuk ka ndodhur deri tani asnjë incident.

“Jo, nuk ka asnjë incident, gjithçka ka kalu mirë, sipas planit të policisë, dhe gjithçka është në rregull”, ka thënë Hoti.

Ndërkohë, serbët e Mitrovicës veriore po e presin të mbërrijë presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq.

Më pas, Vuçiq do të qëndrojë në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicën veriore, në një takim të mbyllur, do të bisedojë me përfaqësuesit politik dhe institucional të serbëve të Kosovës dhe pastaj është paraparë që Vuçiq të udhëtoj për në pjesën qendrore të Kosovës, në Graçanicë dhe Llapna Sellë, ku do të bisedojë me banorët lokal.