Vizita e Vuçiqit në veri mobilizon Policinë

Aktuale January 20, 2018 - 09:14

Shefi i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Zhelko Bojiq, tha se Policia e Kosovës, sipas urdhëresës së Shtabit Kryesor, ka hartuar planin operativ me të cilin parashikohet numër maksimal i policëve, të cilët do të angazhohen dhe do të përkujdesen për sigurinë e presidentit Vuçiq gjatë vizitës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të arrijë të shtunën në veri të Mitrovicës, vetëm tri ditë pas vrasjes së liderit të SDP-së Oliver Ivaanoviqi, i cili u qëllua me 6 plumba të martën rreth orës 8:10 minuta para zyrave të partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Vizita e Vuçiqit në veri të Mitrovicës në Policinë e Kosovës karakterizohet me “rrezikshmëri të lartë” për shkak se vjen në momentin kur ende nuk janë ulur tensionet pas vrasjes së liderit të “Serbia, Drejtësia, Demokracia” – SDP, Oliver Ivanoviq, posaçërisht në momentin kur politikanë serbë të veriut të Mitrovicës, por edhe qytetarët serbë, drejtojnë gishtin nga Millan Radojçiq, për të cilin thonë se është pushteti i vetëm dhe i vërtetë në veri të Kosovës, shkruan tutje "Zëri".

Madje tre prej politikanëve më me ndikim tek serbët e Kosovës, Rada Trajkoviq, Marko Jakshiq dhe Sllavisha Ristiq, kanë deklaruar të premten se nga Vuçiq do të kërkohet përgjigje nëse do t’i izolojnë njerëzit që udhëhiqen nga Millan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kumbara i tij, të cilët vlerësohen kapobanda e nëntokës në veri dhe të cilët, sipas tyre, “vrasin dhe kthjellin” në atë pjesë të Kosovës.

LEXO EDHE: Skovbo: Vrasja e Ivanoviqit do t’i adresohet Kosovës

Millan Radojeviq, zëvendësministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, u ka thënë medieve në veri të Mitrovicës se paralajmërimi i vizitës së presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Kosovë ka mobilizuar Policinë e Kosovës, në mënyrë që vizita e presidentit serb të kalojë sa më mirë.

“Është më se e vërtetë se vizita e presidentit të Serbisë po bëhet në momentin më të ndjeshëm për Kosovën dhe se vizita karakterizohet me rrezikshmëri të lartë. Megjithatë, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat në harmoni me vlerësimin e rrezikut. MPB-ja e Kosovës është e gatshme për këtë vizitë, përfaqësuesit e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri kanë pasur një takim në Prishtinë për t’u dakorduar rreth planit të veprimit për vizitën e presidentit Vuçiq”, ka thënë Radojeviq.

Ndërkaq shefi i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Zhelko Bojiq, tha se Policia e Kosovës, sipas urdhëresës së Shtabit Kryesor, ka hartuar planin operativ me të cilin parashikohet numër maksimal i policëve, të cilët do të angazhohen dhe do të përkujdesen për sigurinë e presidentit Vuçiq gjatë vizitës.

Vizita e parë si president

Vizita e Vuçiqit në Kosovë është e para si president i Serbisë. Ai ka zhvilluar një vizitë në Kosovë në prillin e vitit 2016 derisa ishte kryeministër i Serbisë.

Vuçiq të shtunën do të qëndrojë në Banjskë në veri të Mitrovicës, ku do të bisedojë me zyrtarët serbë nga Kosova, ndërsa në orët e pasdites do të shkojë në Llaplasellë të Graçanicës.

Veriu i Mitrovicës ka zbardhur të premten me flamuj dhe me simbole të shtetit të Serbisë në secilën rrugë të kësaj pjese të Mitrovicës.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, u ka thënë medieve në veri të Mitrovicës, të premten, se vizita e Vuçiqit ka rëndësi të madhe për serbët e Kosovës.

Sipas tij, “në njërën anë ai do t’i inkurajojë serbët dhe në anën tjetër do t’i dërgojë mesazh Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare se Serbia nuk do të lejojë që askush ta shfrytëzojë situatën për ndonjë aventurë, kur është në pyetje veriu i Kosovës”.

“Ardhja e presidentit Vuçiq në Kosovë është edhe një dëshmi e përkushtimit të tij në luftën për serbë në Kosovë dhe kjo është diferenca në mes tij dhe politikanëve grabitës, të cilët Kosovën e kanë temë në fushatën për zgjedhjet për qytetin e Beogradit”, ka thënë Rakiq të premten.

Trajkoviq: Radojçiq e ka pushtetin në veri

Në anën tjetër, tre prej politikanëve serbë më me ndikim tek serbët e Kosovës, Rada Trajkoviq, Marko Jakshiq dhe Sllavisha Ristiq, ish-kryetar paralel i Zubin Potokut, kanë ripërsëritur se rreziku në veri të Mitrovicës vjen nga Millan Radojçiq, pronar i restorantit “Grej”, për të cilin thonë se është pushtet i vetëm dhe i vërtetë në veri të Kosovës.

Sipas tyre, ai “vret dhe kthjell, përcakton të mirën dhe krimin, ai vendos edhe për jetët e njerëzve”.

“Nuk është fshehtësi se pushtetin në veri të Mitrovicës e ka Millan Radojçiq, pronar i restorantit ‘Grej’, në të cilin vendoset për të gjitha dhe ku takohen politikanë serbë. Pushtetin në veri e zbaton Radojçiq, i cili nga bashkësia ndërkombëtare njihet si njeri mafioz dhe se pushtetin nuk e zbatojnë përfaqësuesit e zgjedhur, kryetarët e komunave. Radojçiq vret dhe kthjell, e përcakton të mirën dhe të keqen, nga ai varet e gjitha, emërimi i drejtorëve, vendimi për tenderë, por edhe formimi i Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Trajkoviq, e cila ka konstatuar se Radojçiq është marrë vesh me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj se kush nga serbët do të jetë ministër, kush sekretar shtetëror dhe se Radojçiq i ka zgjedhur edhe përfaqësuesit në komunat serbe.

“Unë pres që presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq gjatë vizitës në Kosovës të sqarojë nëse do t’i izolojë njerëzit që udhëhiqen nga Radojçiq”, ka thënë ajo. 

Ndërkaq Sllavisha Ristiq, deputet i pavarur në Kuvendin e Serbisë, ish-kryetar paralel i Zubin Potokut, ka përkujtuar se ishte pikërisht Radojçiq “i cili në mes të rrugës i ka rënë shpullë Goran Rakiqit.

“Rakiq dhe zyrtarët që janë zgjedhur kanë vetëm një detyrë, që t’i zbatojnë urdhrat e SNS-së së Vuçiqit dhe të paraqiten në zgjedhje. Për të gjitha të tjerat sa u përket kompetencave, por edhe jetës së njerëzve, përkujdeset grupi joformal. Nuk e njoh personalisht Radojçiqin dhe nuk jam takuar kurrë me të, por nga ajo që dëgjoj kam ardhur në përfundon se ai është pushteti i vetëm dhe i vërtetë në Kosovë”, ka shpjeguar Ristiq.