Haradinaj dhe OVLUÇK ngushëllon familjen Musliu

Aktuale January 18, 2018 - 14:30

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë ngushëlluar familjen Musliu pas ndarjes nga jeta të kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu.

Haradinaj thekson se Musliu i ishte përkushtuar zgjidhjes së drejtë të çështjes së shqiptarëve në Luginë, luftëtar i paepur i të drejtave të njeriut, ishte mik dhe familjar i mirë dhe do t’i mungojë familjes së tij, dhe komunitetit.

“Me dhembje mora lajmin për shuarjen e luftëtarit të lirisë, ish komandant i UÇMPB-së dhe Kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu. I qoftë i lehtë dheu!”, shkruan Haradinaj.

Ndërkaq, edhe kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjen Musliu, me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëluftëtarit Jonuz Musliu.

“E nderuara Familje Musliu! Mbahuni e qëndroni të fortë në këto momente dhimbjeje që ndjeni për babanë e juaj.  Ai nuk ishte vetëm i Juaji por edhe i popullit sepse dihen kontributet e mëdha të tij, që dha për çështjen kombëtare”, thuhet në letrën e OVULÇK-së dërguar familjes Musliu.