Flet gruaja e Oliver Ivanoviqit: Këmba ime nuk do të shkelë kurrë më në Kosovë

Aktuale January 18, 2018 - 11:38

Milena Ivanoviq, gruaja e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, i vrarë në një atentat gjatë ditës së martë në Mitrovicën Veriore ka dhënë një deklaratë për mediat serbe duke thënë që ajo asnjëherë më nuk do të vijë në Kosovë.

“Ne përfunduam punë në Kosovë, nuk do të kthehem më kurrë atje, këmba ime më nuk do të shkelë në Mitrovicë, tashmë një qytet i errësirës dhe dhimbjes, jeta e Oliverit u dha për Kosovën dhe për serbët e Kosovës, kur ne kërkuam ndihmë, nuk ishte askush aty për ne”, deklaroi gruaja e liderit të vrarë të SDP-së, transmeton lajmi.net.

Duke folur për deklaratat e liderëve serb dhe reagimet e qytetarëve pas vrasjes së Ivanoviq, ajo u shpreh:

“Tani ata thonë për Oliverin se ai ishte një hero, por ku ishin ata që ta lartësojnë figurën e tij kur kjo na nevojitej më së shumti?”, shtoi  Milena Ivanoviq .

Ajo deklaroi se dëshiron që të jetë sa më afër burrit të saj, dhe se dëshiron që tashmë të rrijë në Beograd dhe të mos kthehet më kurrë në Kosovë.

Milena Ivanoviq, shprehet se është e frikësuar tashmë për sigurinë e djalit të saj dhe të vetes, dhe i frikësohet faktit se mund të jetë ajo tashmë cak i sulmeve tjera ndaj tyre.