Pacolli në Strasburg kërkon mbështetje për liberalizimin e vizave

Aktuale January 17, 2018 - 22:52

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se gjatë vizitës në Strasburg ka kërkuar mbështetjen e përfaqësuesve në Parlamentin Europian për përshpejtimin e pakushtëzuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës e meritojnë këtë të drejtë themelore të lëvizjes së lirë, ashtu siç e gëzojnë të gjithë popujt e tjerë të rajonit. Çdo trajtim ndryshe ndaj tyre i forcon bindjen për pabarazi dhe shtetas të dorës së dytë, status nga i cili ne kemi vuajtur shumë përgjatë historisë tonë”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në “Facebook”. 

Ai ka vazhduar më tej duke thënë se është koha e fundit që ne të lëvizim përpara dhe të ruajmë ndjenjën e madhe pro-europiane, që ekziston te populli i Kosovës.

“Vonesat i ushqejnë dhe i japin shtytje vetëm forcave të errëta. Të veprojmë tash”, ka theksuar Pacolli.

Gjatë këtij takimi në Parlamentin Europian, zëvendëskryeministri Pacolli ka raportuar mbi zbatimin e Agjendës Europiane të Reformave nga Qeveria e Kosovës.