'The Guardian' publikon një letër ku bëhet thirrje për ndarje të Kosovës

Aktuale January 17, 2018 - 22:32

Vrasja e ish-liderit të serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviq, ka bërë bujë të madhe ndërkombtare, duke bërë që mediat më të mëdha të raportojnë jashtëzakonisht shumë dhe shpesh.

Por bashkë me raportimet për vrasjen e Ivanoviqit dhe të rejat rreth pistave të hetimit, tanimë media të mëdha sikurse “The Guardian” një prej gazetave më të fuqishme në Britani dhe Evropë ka publikuar edhe letra që bëjnë thirrje për ndarje të Kosovës, si mundësi e vetme për qetësimin e vendit.

E tillë është edhe letra e profesorit Michael Pravica, nga Universiteti i Nevadas në Las Vegas të Amerikës. Profesori i Departamentit të Fizikës dhe Astronomisë, Pravica ka shkruar se vrasja barbare e Ivanoviqit duhet të dënohet nga nivelet më të larta dhe se kjo ngjarje tregon se Kosovë nuk është gati për shtetësi. 

“Ajo gjithashtu tregon se pavarësisht nga përpjekjet më shumë se 10 vjeçare, shanset për një pajtim të vërtetë mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë nuk janë aspak të larta. Zgjidhja më e mirë për territorin e paqëndrueshëm është që provinca ku banojnë serbët të ndahet nga pjesa tjetër e shtetit të Kosovës. Përndryshe rajoni do të zhytet përsëri në luftë në të ardhmen”, ka shkruar Pravica, raporton Insajderi.