Mirëpritet rritja prej 20% e pagesës për skemat sociale

Aktuale January 17, 2018 - 19:48

Pagesa mujore për familjet në skemën e ndihmave sociale do të rritet për 20% dhe një propozim i tillë është paraqitur nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica në mbledhjen e fundit qeverisë ku ka marrë aprovimin e plotë nga kabineti qeveritar.

Ky vendim po mirëpritet nga familjet përfituese në skemën sociale të cilat janë shprehur të kënaqur për një rritje të tillë.

Ajet Krasniqi, përfitues i asistencës sociale së bashku me familjen e tij, ka thënë për Indeksonline se ky propozim i ministrit Reçica i ka kthyer sado pak shpresën se shteti po shtrin dorën në përmirësimin e gjendjes sa i përket këtyre familjeve me asistencë sociale.

“Ne përballemi me probleme të shumta dhe shpresën e vetme e kemi të shteti, pra te Qeveria. Jemi të lumtur që me në fund dikush po mendon për familjet të cilat kanë më së shumti nevojë për përkrahje”, është shprehur ai.

Edhe Besim Gashi nga Drenica, përfitues i skemës sociale ka deklaruar se vendimi i qeverisë për rritjen e pagesës është hap i qëlluar ani pse thotë se ende iu duhet përkrahje nga shteti.

“Jemi pesë anëtar dhe kemi vetëm një social. Tash me rritjen e tij shpresoj që sadopak do ta zbusim gjendjen e rëndë ekonomike”, ka thënë ai.

Gjatë paraqitjes së propozim vendimit para qeverisë, ministri Reçica kishte thënë se në kuadër të angazhimit të tij në MPMS, ka për qëllim dhe objektivë mbështetjen e familjeve të varfra, përmes ofrimit të pagesës së Asistencës Sociale, për familjet që i plotësojnë kriteret.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare mbi varfërinë dhe papunësinë, familjet në Skemën e Ndihmës Sociale vazhdojnë të janë shtresa më e varfër dhe më e goditur në aspektin ekonomik dhe social.

Ministri Reçica tha se përkundër lëvizjes së çmimeve të disa artikujve në kuadër të shportës së ushqimit, shuma e ndihmës sociale nuk ka pasur ngritje që nga viti 2015 dhe nuk është harmonizuar me indeksin e çmimeve andaj, duke u bazuar në hulumtime dhe analiza të  lëvizjes së çmimeve dhe harmonizimit me çmimet e shportës së ushqimit, është propozuar rritja për 20% e cila mori aprovimin e kabinetit qeveritar.